Deputeti socialist Fidel Ylli duket se e ka të vështirë që të bëjë dallimin mes presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama, për të cilët thotë se të dy merren vesh mirë me njëri tjetrin kur ua do nevoja, siç ishte viti 2013.
Ylli është shprehur gjatë ditës së djeshme se secili prej të dyve është në llogoren e vetë, dhe se Metën e ka shok, pavarësisht se puna e do që të jenë kundërshtar politik.
“Është pyetje e vështirë sepse unë kam një moral që shokut i them shok sado ta kem kundërshtar dhe në zgjedhje do fitoj forca që unë përfaqësoj. Në 2009-ën unë kam bërë 9 muaj fushatë dhe njerëzit që ishin në shtabin tim shpeshherë edhe ma shanin, por u thash se nuk duhet të fitojmë me të sharë e me të bërtitur do japim modelin që jemi shokë edhe me Nasipin edhe me Metën.
Se u sha Edi Rama me Ilir Metën, por në 2013-ën kur erdhi puna u bënë bashkë, i harruan se çfarë kishin hedhur dhe unë ndihesha mirë, nuk isha pjesë e kësaj sharje. Shahen kokat por ne s’kemi pse bëhemi pjesë. Dhe unë s’kam pse të merrem me Ilir Metën se në fund të fundit e kam shok dhe kur i ka hyrë politikës nuk më ka pyetur mua dhe kur bën gjëra të kësaj natyre që del nga pozicioni i presidentit nuk më ka pyetur mua.
Unë përsëri do ta kem shok, por secili në llogoren e vet. Ne nuk jemi në rresht me Ramën, ne bashkëpunojmë me Edi Ramën, se Rama nuk bëhet po nuk punuan strukturat e partisë dhe njerëzit në terren. Ne kemi diversitet në parti, nuk kemi frikë nga kryetari. Nuk jemi si partia Demokratike. PS u krijua nga partia e punës dhe u mor nga njerëz që i kanë dhënë PS vlerat e partisë socialiste europiane”, u shpreh Ylli në një dalje televizive gjatë ditës së djeshme.