Rritja e pagave për punonjësit e administratës, deputetët dhe ministrat, përveçse u fut në rendin e ditës së sotme me urgjencë, pritet dhe të votohet me të njëjtin nxitim, për shkak se presidenti i Republikës do të nisë një vizitë zyrtare jashtë vendit.
Edhe pse rregulli e do që presidenti fillimisht të njihet me një ligj dhe më pas të shprehet për dekretimin e tij, socialistët duket se e kanë marrë paraprakisht aprovimin e Begajt, përpara se ligji të votohet në Kuvend.
Drejtuesja e seancës së sotme, nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj ka njoftuar kolegët se projektligji do të votohet në orën 14:30 para përfundimit të seancës dhe se Presidenti e ka dhënë pëlqimin për dekretimin e menjëhershëm.
“Ndërkohë kolegë ju njoftoj që Presidenti i Republikës ka dhënë pëlqimin për dekretimin e menjëhershëm të paketës së ligjeve për shkak edhe të largimit të tij në një vizitë jashtë vendit, në orën 14:30 ne do të votojmë përpara se të përfundojë seanca. Kështu që secili nga kolegët të shikojë edhe radhën e diskutimeve të tij në fjalë sepse në atë orë do të ndërpriten diskutimet për të kaluar në votim”, tha Felaj.
Ajo që e bën edhe më farsë të gjithë debatin për rritjen e pagave, që duket të jetë një sajesë për debat nga ana e deputetëve, është deklarata e kryeministrit Edi Rama, i cili tha se kishte kërkuar që rritja për politikanët të ishte e fundit, në raport me të gjithë sektorët e administratës publike.
Sa i takon deputetëve të opozitës, pjesa e PD-së zyrtare në masë është shprehur protestuesit rritjes së pagës, ndërsa grupimi i Berishës kundër, me pretendimin se fillimisht duhej të ishte miratuar minimumi jetik 200 euro.