Familja e Kudret Saliajt, i cili u vra ditën e djeshme nga vjehrri i tij, ka hapur dyer e mortit këtë të shtunë dhe pritet që ceremonia e varrimit të mbahet në orën 14:00. Familjarët jashtë kamerave, u shprehën se ngjarja ishte e rëndë dhe se ata nuk e prisnin një gjë të tillë, ndërsa nuk pranuan të prononcohen për mediat.
Familja Saliaj jeton në zonën e Freskut në Tiranë, ndërkohë që me të atin qëndronin dhe tre fëmijët e çiftit që ishin në prag të divorcit, dhe dje kishin seancën ku do të vendosej në gjykatë se me cilin prej tyre do të jetonin prindërit.
Sakaq është zbardhur dhe dëshmia e Dhurata Saliajt, e cila u arrestua dje së bashku me të atin e saj Mexhit Picarin, si bashkëpunëtore në krim.
“Me Kudretin kemi pasur marrëdhënie të acaruara, sa herë që doja të takoja fëmijët na kërcënonte. Kudreti kërcënonte se do të më vriste. Rasti më i fundit ka ndodhur përpara katër ditësh, ku ai na ka kërcënuar. Kur vinte në shtëpi përballej me mamin tim. Familja ime ka jetuar në presion prej kaq shumë kohësh”, është shprehur Dhurata Saliaj.
Mes të tjerave Dhurata Saliaj ka thënë se e ëma e saj kishte urdhër mbrojtje nga viktima, dhe se gjatë ditës së djeshme babai e kishte shoqëruar për në Gjykatë, pasi i frikësohej Kudretit, se mund të hakmerrej ndaj saj.
“Kam shkuar me babain tek gjykata dhe ja kam bërë të qarte Kudretit se unë femijet nuk i lë. Doja të takoja djalin, t’i flisja. Aty ndodhi edhe ngjarja”, ka thënë më tej Dhurata Saliaj.
Historia e konfliktit mes çiftit Kudret dhe Dhurata Saliaj ka nisur në fundin e vitit të kaluar, ku ata janë përfshirë në akuza të ndërsjellta për tradhëti dhe dhunë, ndërkohë që viktima nuk e lejonte bashkëshorten e tij që të shihte tre fëmijët e mitur, të cilët jetonin me të atin.
(E.K/Faxweb.al)