Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetFlashPolitikëTe FunditTe Gjitha

Falsifikimi i procesverbalit/ Njoftohet arrestimi ndërkohë që Florenc Hoxha ishte me Bashën

Protestuesit e arrestuar nga Policia për protestën e 16 shkurtit janë përfaqësuar nga juristi dhe Sekretari për Zgjedhjet në Partinë Demokratike Ivi Kaso i cili në një deklaratë për mediat tha se Porkuroria ka falsifikuar procesverbalin e Florenc Hoxhës.

Kaso tha se prokuroria ka falsifikuar procesverbalin e arrestimit të Hoxhës fare haptazi, pasi në orën 21:00 kur shkruan se ka ndodhur arrestimi, në shtëpinë e Hoxhës ka qënë i pranishëm vetë kryetari i PD, Lulzim Basha dhe deputetët e djathtë.

Sipas tij ata janë larguar prej aty në orën 22:00, orar sipas të cilit me ligj nuk mund të kryhej arrestimi.

Juristi tha se për këtë çështje është bërë edhe një kallëzim penal ndaj krerëve më të lartë të policisë.

“Dje, si përfaqësues i personit të arrestuar në flagrancë, Florens Hoxha, kam paraqitur kallëzim penal për Drejtorin e përgjithshëm të Policisë së shtetit, për Drejtorin e qarkut Tiranë, për drejtuesin dhe efektivët e trupave speciale që kanë bërë dhunimin e banesës dhe dhunimin e tij gjatë shoqërimit në Polici dhe sigurisht do të bëjmë edhe kallëzim penal për këdo që ka marrë guximin të fallsifikojë dokumentin zyrtar”, – tha ndër të tjera Ivi Kaso.

Gjatë deklaratës së tij, Kaso tha se për asnjërin prej protestuesve të cilët janë arrestuar nuk ka prova që dëshmojnë se është kryer dhunë nga ana e tyre gjatë protestës.

Deklarata e plotë e Ivi Kasos:

Ata pretendojnë dhe vërtetohet edhe nga të ashtuquajturat prova që organi i prokurorisë solli, pra nga pamjet filmike, që të gjithë ata, me përjashtim të një personi që është marrë gabimisht, kanë qënë protestues. Që të gjithë e pranuan me krenari dhe u pretendua nga ana e tyre se nuk është ushtruar dhunë , pra nuk janë kryer akte të dhunshme, qofshin këto ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit, qofshin ndaj pronës publike. Nuk ka asnjë pamje të vetme që t’i lidhë këta përsona me veprime aktive dhune.

Përkundrazi, janë persona që kanë qënë në shkallët e Kryeministrisë, njeri për një arsye, njeri për një tjetër. Dikush prej tyre ka ngritur flamurin kombëtar në shkallët e Kryeministrisë ose në atë skelën e improvizuar; një prej tyre ka asistuar një person që i kishte rënë të fikët. Dikush prej tyre madje ka asistuar një polic që ishte në gjendje pothuajse të fikti prej gazit lotsjellës që është hedhur. Pra, gjithsekush për arsyet e tyre, vetëm dhunë nuk ka pasur. Organi i Prokurorisë dështoi të sillte një provë të vetme, një imazh të vetëm që t’i lidhte këta persona me akte të dhunshme siç u pretendua me fjalë.

Prova nuk ka në asnjë nga fashikujt që Prokuroria solli sot, për asnjë nga personat që mbahen të arrestuar padrejtësisht.

Unë e thashë edhe përpara gjykatës. Sot në gjykatë ndodhi diçka shumë e rëndë, në këndvështrimin tim si avokat.

U paraqit një provë e fallsifikuar, procesverbali i dytë i kontrollit të banesës së shtetasit Florens Hoxha është qartësisht i falsifikuar.

Është falsifikuar ora e mbajtjes së këtij procesverbali për arsye që t’i jepet gjykatës pasqyrimi i rremë i realitetit, kur në fakt ky kontroll është realizuar jashtë çdo procedure ligjore dhe jashtë orarit ligjor, që parashikon orën 22:00 si orar maksimal për ushtrimin e kontrollit të banesës në çfarëdo rrethane dhe procesverbalin që nuk e di kush e mori guximin, kush e ka firmosur do të mbajë përgjegjësi, mban orën 21:00!!!

E theksoj se në orën 21:00, në ambientet e shtetasit Florens Hoxha kanë qënë disa deputetë të PD, të kryesuar nga kryetari i opozitës, i PD, që nuk kanë lëvizur nga kjo banesë deri në orën 22:00.

Kamerat tuaja kanë qënë jashtë, është një fakt lehtësisht i provueshëm dhe personat që marrin guximin të paraqesin para gjykatës, dokumenta të falsifikuara, do të mbajnë përgjegjësi.

Një hall i madh mund ta shtyjë cilindo përfaqësues të organeve të rendit të falsifikojë dokumenta. E thashë dhe para gjykatës: hall më të madh se presioni politik që i bëhet për t’i gjetur fajtorë me çdo kusht këta burra dhe dy gra që kanë marrë pjesë në protestë, unë nuk shoh!

Dje, si përfaqësues i personit të arrestuar në flagrancë, Florens Hoxha, kam paraqitur kallëzim penal për Drejtorin e përgjithshëm të Policisë së shtetit, për Drejtorin e qarkut Tiranë, për drejtuesin dhe efektivët e trupave speciale  që kanë bërë dhunimin e banesës dhe dhunimin e tij gjatë shoqërimit në Polici dhe sigurisht do të bëjmë edhe kallëzim penal për këdo që ka marrë guximin të fallsifikojë dokumentin zyrtar.

 

Fjalët Kyce

Mendoni se duhet të hapen listat e partive dhe të ndalohen koalicionet parazgjedhore?

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *