Gjykata e Elbasanit ka vendosur “burg pa afat” për Xhuljano Hoxha 29 vjeç dhe Euglen Halili 23 vjeç, të dyshuar për përfshirjen e tyre në ngjarjet kriminale që kanë ndodhur në javët e fundit në qytetin e Elbasanit. Konkretish bëhet fjalë për masakrimin me thika të 23 vjeçarit Regis Runaj në afërsi të varrezave të qytetit, duke e qëlluar plot 27 herë, pas një konflikti që sipas policisë ka ndodhur pas konsumimit të lëndëve narkotike.
Po ashtu nga hetimet rezulton se këta dy shtetas janë të përfshirë edhe në vrasjen e Emiljano Ramazanit, pasi nga provat e grumbulluara rezulton se të dy këta shtetas kanë ndjekur dhe kontrolluar lëvizjet e viktimës.Po nga hetimet rezulton se dy të rinjtë Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halili këto ngjarje i kanë kryer kundrejt pagesës nga persona të tjerë, për të cilët vijon puna intensive për dokumentimin e rasteve.
Në pretencën para trupit gjykues prokurori Kreshnik Ajazi kërkoi masën e arrestit me burg për dy të ndaluarit duke paraqitur prova ligjore që i implikon në vrasjet atë të Emiljano Ramazanit, por dhe Regis Runaj. Pavarësisht mbrojtjes së avokatit Blendi Himci në fund gjyqtarja Pajtime Fetahu vendosi të lërë në burg pa afat dy të rinjtë.
Kujtojmë se gjatë periudhës hetimore, grupi hetimor gjeti dhe sekuestroi prova shkencore që provojnë autorësinë e ngjarjejeve. Ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruar një motomjet, në të cilin u gjetën njolla gjaku, të cilat pas egzaminimit në laboratorin shkencor rezultuan se i përkasin viktimës Regis Runajsi dhe një shumë eurosh dhe prova të tjera ligjore.
Gjithashtu kamerat e sigurise në biznese dhe qytet kanë faktuar përndjekjen që dy autorët i kanë bërë prej disa ditësh 39 vjeçarit Emiljano Ramazani. Ndërsa polumbaret para dy ditësh gjetën armën në rrjedhën e lumit Shkumbin. Ato janë dërguar në një laborator në Tiranë dhe pritet dalja e përgjigjeve nëse kanë lidhje me ekzekutimet e mësipërme apo jo.