Ambasadorja amerikane Yuri Kim iu ka bërë thirrje të gjitha palëve politike që të mos entuziasmohen nga rezultatet e exit-polleve, dhe të presin numërimin e votave deri në fund, duke pranuar dhe rezultatin që do të dalë prej tyre.
Kim shprehet se votuesit shqiptarë reaguan me maturi dhe në masë, dhe tashmë është radha e politikanëve që të respektojnë vullnetin e tyre.
Yuri Kim: Votuesit e Shqipërisë dolën me forcë të plotë për të shprehur vullnetin e tyre. Zgjedhjet dhe autoritetet e zbatimit të ligjit kanë për detyrë të sigurojnë integritetin e votës. Kandidatët dhe udhëheqësit, gjithashtu, kanë detyrën e tyre: të mos supozojnë rezultate, por të pranojnë gjykimin e votuesve kur përfundon numërimi.
Në orën 19:00 në të gjithë vendin u mbyll procesi i votimit, ndërsa në një llogaritje paraprake sipas KQZ pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë pothuajse 48%, ku qarqet me numrin më të lartë të votuesve që kanë ushtruar të drejtën e tyre janë Tirana, Dibra dhe Elbasani.
Nga rezultatet e para të exit polleve thuhet se PD dhe LSI kanë përfituar ndjeshëm përqindje në krahasim me zgjedhjet e kaluara, dhe së bashku mund të fitojnë shumicën qeverisëse.
(E.K/Faxweb.al)