Gazetarja Donika Hysenbelliu ka folur në emisionin “Me Xhaxhiun” në Fax News për zgjedhjet presidenciale në Amerikë dhe për ceremoninë e inagurimit të Joe Biden si president i 46-të i SHBA, ku mungoi Donald Trump.
Hysenbelliu theksoi se është moment historik pasi për herë të parë, Amerika do të ketë një zëvendës presidente aziatike dhe me ngjyrë. Nuk la pa përmendur premtimet e Joe Biden për rritjen e emigrantëve nga 15 mijë në 125 mijë.
Donika Hysenbelli: Një Amerikë totalisht e re. Pas gjithë kësaj zgjedhje presidenciale, Donald Trump ka qenë jashtë tradicionales pasi nuk mori pjesë as në inagurim. Është hera e parë që një president që në 1869 nuk ka qenë pjesë e inagurimit presidencial. Është një moment historik vërtetë se dhe që prej pandemisë, është totalisht ndryshe inagurimi dhe betimi i presidentit të ri. Prezenca e njerëzve ishte minimale. Ishin presidentët, Obama, Clinton dhe George Bush, ndërsa vetëm zëvendës presidenti Mike Pence ishte prezent. Është një moment historik dhe për femrat në mbarë botën sepse Kamala Harris është zëvendës presidentja e parë amerikane (aziatike dhe me ngjyrë).
Biden ka premtuar që numrin e emigrantëve nga 15 mijë që ishte minimalja e Donald Trump, do ta çonte në 125 mijë. Historikisht Amerika është mbajtur si liderja e mikpritësve të refugjatëve dhe emigrantëve, por kjo në administratën Trump ndryshoi. Por Biden tha se do ta ndryshojë, ndonëse njerëzit kanë pakënaqësira nga qeveria Biden. Ka qenë moment i jashtëzakonshëm sepse nuk ka parë asnjëherë zgjedhje të tilla Amerika, të dhunshme, me protesta dhe me sulmin që ndodhi në Capitol Hill të Washingtonit.
E pyetur se sa i mundur është misioni për ta çuar Amerikën atje ku ka qenë, Hysenbelli u shpreh se do të ketë vështirësitë e veta për shkak të pikëpamje të ndryshme që kanë demokratët dhe republikanët.
Donika Hysenbelli: Është pak vështirë sepse janë dy pikëpamje ekstreme të problemeve politike dhe sociale. Republikanët dhe demokratët njihen për një luftë midis të dyve për pikëpamje të ndryshme në sistemin e shëndetësisë, në probleme sociale të ndryshme si aborti apo taksa.Me administratën Trump, pashë që kishte përçarje kombëtare të republikanëve dhe liberalëve, ndërsa u bënë shumë agresiv ndaj njëri-tjetrit dhe në shoqëri ndihej diskriminimi.
Donika Hysenbelli ka kryer studimet në të njëjtin universitet me Joe Biden, për të cilin thotë se është politikan tradicional dhe mban lidhje të forta me rrënjët e veta.
Donika Hysenbelli: Syracuse University, është në Nju Jork, ku Biden ka mbaruar një prej kolegjeve të drejtësisë. Ka marrë licensën e avokatit dhe e ka vizituar shpesh universitetin. Është tipik tradicional që ka lidhje të forta me themelet e rrënjët e veta, siç është Pensilvania dhe Nju Jorku. Është një politikan me eksperiencë shumë të gjatë dhe normalisht bën pjesë tek liberalët e do ndjekë të njëjtën linjë politike si ata. Shpresoj të ketë mësuar nga gabimet politike sepse është shumë i kritikuar për luftën në Irak.
(A.M/Faxweb.al)