Kompania e fluturimeve “low cost” me bazë në Milano të Italisë, “Ernest Airlines” vijon të shfaqet problematike përsa i përket orareve të fluturimit nga aeroporti “Nënë Tereza”.
Rasti i fundit është denoncuar ditën e djeshme, në faqen në Facebook të ish-kryeministrit Sali Berisha, ku kjo kompani ka shtyrë fluturimin, duke detyruar pasagjeret të presin me orë të stërzgjatura mbërritjen e avionit.
Në foton e publikuar në FB, tabela informative në Rinas tregon për shtyrjen e orarit të mbërritjes së një fluturimi të kompanisë. Në denoncimin dërguar ish-kryeministrit, qytetari shkruan se, është në pritje të avionit prej 7 orësh, pa asnjë informacion konkret se çfarë po ndodh me fluturimin në fjalë.
Në faqen zyrtare të aeroportit “Nënë Tereza” evidentohet vonesa në mbërritje të dy fluturimeve të kompanisë “Ernest”, një nga Bergamo dhe tjetri nga aeroporti i Malpensas në Milano.
Vonesa po ashtu edhe në nisje. Qytetarët janë detyruar të presin edhe imbarkimin në dy fluturime të “Ernest”, atë “EG201” me destinacion Milanon dhe tjetri “EG101” me destinacion Bergamon.
Më herët gjatë kësaj jave, “Corriere della Sera” raportoi se “Ernest Airlines” iu pezullua aktiviteti për shkak të vonesave në fluturim dhe vështirësive financiare, pasi për disa muaj, kompania ka shtyrë edhe pagesat e punonjësve. Vendim që sipas autoriteteve italiane, pritet të hyjë në fuqi me datë 13 janar 2020.