Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka zhvilluar një takim me asamblenë e PS në njësinë numër 3, ku nuk la pa përmendur arritjet e tij dhe thumboi hapur Partinë Demokratike dhe ish-kryebashkiakun Lulzim Basha.
Veliaj u ndal tek afera e shumëpërfolur e inceneratorit të Sharrës duke thënë se dikur pastrohej Tirana një herë në 3 ditë, ndërsa sot pastrohet 3 herë në ditë, të cilën e konsideron arritje dhe pse Basha i la faturën 30% më të lartë dhe disa fatura për të paguar. Sipas kryebashkiakut, halli i vetëm i opozitës është pasuria e tyre ndërsa i kanë gati valixhet për tu larguar pasi nuk kanë shtetësi shqiptare.
“Këta që i ka kapur sekëlldia për plehrat, ishin mësuar me Tiranën që pastrohej 1 herë në 3 ditë. Sot Tirana pastrohet 3 herë në ditë dhe prap themi që nuk mjafton se është rritur popullsia, është rritur ikosnumi, bizneset dhe restorantet. Më kujtohet debati për plehrat ku fatura që na la Lul Basha ishte 30% më e lartë dhe nja 30 e ca milionë që duheshin paguar që në fillim.
Sot kemi një faturë 30% më të lirë, është bërë më shpejt, më mirë dhe ata qajnë hallin e Tiranës. Nuk kanë ata merak taksapaguesit se pyetja që lind është që nëse një punë po bëhet 30 % më lirë, çfarë halli kanë. Nëse në kohën e tërmetit, halli ynë ka qenë si do bëjmë shtëpitë e njerëzve, halli i tyre ka qenë si do shtojnë shtëpitë e tyre në Kodër të Diellit apo buzë detit.
Ata nuk kanë lidhje me hallet e qytetarëve, kanë vetëm merakun e tyre. I keni parë, nuk kanë as shtetësi shqiptare, rivalin tonë nuk e voton dot as familja e vet se ka ndërruar gjithë shtetësinë. Ndërkohë i kanë kalamajtë në Hollandë, në Angli, Shqipërinë e kanë si bingo, po ju ra mirë, po nuk i ra valixhet aty i kanë, kthehen nga aty ku kanë ardhur“, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës komentoi edhe listën e PD duke thënë se janë si “Big Brother” që përzënë gjysmën e partisë. Veliaj tha se ka parë listën e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve për deputetë që kanë kaluar në fazën finale 326 emra.
“Plani ynë është Tirana, Shqipëria, atdheu ynë, kjo është diferenca. Fakti që po takojmë njerëz përditë që nuk kanë qenë me ne përpara por janë bashkuar dhe i trajtojmë me dinjitet. Edhe ata po bëjnë një fushatë të bazuar në gënjeshtra, përçarje, kanë 30 vjet që mundohen të na përçajnë, kanë 30 vjeç që mundohen të përçajnë veriun me jugun, duan të fysin “pyka” se kush ishte i përndjekur e kush partizan. Ne mund të themi sot si tirons, si qytetar si kryeqytetar se nuk përçahemi, nuk pajtohemi me kulturën e dhunës. Jemi këtu që të punojmë dhe ti shërbejmë të gjithëve dhe do të bëjmë një fushatë pozitive.
Nuk i themi njeriu plaç, ata i thonë njëri tjetrit, iku dhe një, iku dhe një. Po shikoja listën sot, kishin përzënë gjysmën e partisë nga partia, ne themi edhe një, edhe një. Kjo është diferenca. Për ata është si “Big Brother”, kë do eleminojmë sot nga shtëpia”, tha Veliaj.