Prishja e Teatrit Kombëtar ishte një ndër çështjet më të komentuara të këtij viti, por kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehet se nuk ka asnjë pishman për këtë. Në një intervistë për emisionin “Aktualitet” nga Bejdo Malo në Fax News, shprehet se pishmani i tij i vetëm është që tre vite i harxhoi duke bindur njerëz dhe tre vite të tjera i harxhoi me persona të tjerë vetëm për të qenë rehat me veten.
Veliaj sqaron se ka nisur punimet për ndërtimin e Teatrit dhe shpreson që brenda këtij viti të mbyllen procedurat. Deri tani është bërë studimi gjeologjik dhe është finalizuar projekti, por mbeten në pritje të ofertave për kredi bankare nga institucione financiare.
“Kush merret me aktivitet publik në Shqipëri, ka marrë parasysh që një pjesë e çmimit është përfolja dhe përgojimi. Është tipike e vendeve në zhvillim. Kur merret me këtë punë, njeriu e kupton që do përballet me sasi balte dhe pështyme. Nuk ka asnjë arsye pse duhet të tërhiqemi mbrapa nga Teatri. Nuk kam asnjë pishman për Teatrin, madje brenda këtij viti me shpresë do të mbyllim të gjithë procedurat për të filluar themelet.
Kemi bërë studimin gjeologjik, kemi finalizuar projektin, kemi bërë disa oferta për kredi bankare nga disa institucione financiare, do shohim ofertën më të mirë dhe këtë vit do të fillojmë projektin. I vetmi pishman që kam është që u vonuam tre vite duke bindur njerëz që unë e kisha një parandjenjë që në fillim që ishte një dyshim i sinqertë i qytetarëve që me pak sqarim arrinin të kuptonin që nga keq po shkonin në shumë mirë. Tre vitet e tjera i harxhova me disa njerëz që më shumë për të qenë rehat me veten, por kisha një parandjenjë që kishin një axhendë politike dhe do përfundonin kandidatë për deputetë. Kjo është e vetmja keqardhje që duhet ta kisha bërë më shpejt atë vendimmarrje. Kjo punë është hip se të vrava, zbrit se të vrava.
99% të grupit fillestar dhe përfshi të gjithë aktorët e TK përvec njërit ranë dakord, ti thua demokracia vendos shumica. I dëgjon të gjithë por në momentin që 99 nga 100 janë dakord dhe ka ngel vetëm 1, 1 duhet dhe për hudhër”, tha Veliaj.
Sa i përket komenteve të shumta të opozitës se lulishtet i kthen në pallate, Veliaj thotë se kushdo që mund ta vërtetojë këtë, do të kishte shkuar prej kohësh për të bërë kallëzim penal dhe sqaroi se këto raste nuk janë prona publike por private që i kërkojnë vetë pronarët.
“Nëse kthen një lulishte që është publike në pallat, kjo është për burg. Ka mjaftueshëm kundërshtarë që nëse kjo do ishte e vërtetë, do kishin shkuar në prokurori. Nëse dikush e ka pronë private, thotë se për aq kohë se kam zhvilluar, të kam lënë të mbjellësh punë sic ka qenë historia e vetëshërbimit.
Bacja këtu pas Bashkisë, se shumë njerëz i thonë Sahati, bëjnë fotografi nga Plaza dhe thonë na mbytën kullat. Kjo është ironike se ti vetë je në kullë duke bërë fotografi. Bashkia jo vetëm që nuk fal badijava, por edhe metrin më të vogël ku kishim kontenier e marrim të shumëfishuar”, tha Veliaj.
Ndërsa për disa bashkëpunime të vonuara për Tiranën, Veliaj zgjodhi të ironizojë ish-kryebashkiakun Lulzim Basha, për të cilin përdor shprehjen e gjyshes së tij: “Po u ule në uturak, o bëje o cohu”. Veliaj la të nënkuptohet se Basha nuk ka bërë asgjë për kryeqytetin kur e mbante postin e kryebashkiakut të Tiranës.
“Në një pjesë të madhe të kohës, kryetarë bashkie intimidohen nga histeria kolektive. Po e përdore si etalon, s’bën dot asgjë. Nga ana njerëzore nuk kam asgjë personale me Bashën, thoshte gjyshja ime po u ule në uturak, o bëje o cohu, por nuk mund të rrish pafund se të duhet të ndodh dicka. Në momentin kur je kryetar bashkie, kryeministër, ministër duhet të bësh dicka”, tha Veliaj. (A.M/Faxweb.al)