Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


FlashOpinione&AnalizaTe FunditTe Gjitha

“Tregon me gisht tokat e sapodala nga përmbytja dhe urdhëron ndërtimin e spitalit”, mjeku ironizon Ramën: I dashur Borat…

Nga Erion Dasho: BORATI “NDËRTON” SPITAL!

Vendimi për ndërtimin e një spitali në Levan është i mirëpritur. Personalisht, e mbështes idenë e spitaleve “suprarajonalë” ku hyn spitali i Levanit, apo edhe një i ngjashëm me të në zonën Shkodër-Lezhë.

Nga pikëpamja e ofruesit të shërbimeve, Spitali i Levanit, i vendosur në pikëprerjen e tre qarqeve jugore, i shërben rreth një të katërtës së popullsisë së vendit pasi ndodhet në një pozicion gjeografik dhe demografik ideal.

Potenciali i tij për të mbështetur (dhe ndoshta zëvendësuar) veprimtarinë e tre spitaleve ekzistues që vuajnë prej kohësh mungesën e mjekëve dhe infrastrukturën e pariparueshme, është provuar edhe me një studim fizibiliteti serioz.

***

Pavarësisht nga argumentet e shumtë në favor të ndërtimit të spitalit të Levanit, të çudit lajmërimi i tij i papritur gjatë udhëtimit “kulturor” të radhës të Boratit tonë grotesk si dhe njoftimi me bujë se spitali do të ndërtohet për tre muaj!!!

Kjo u pasua nga një transmetim televiziv live ku, me nota demagogjike dhe populiste (si për të provuar se e meriton plotësisht cilësimin “Borat”), kryeministri tregon me gisht ca toka të sapodala nga përmbytja dhe urdhëron shpronësimin e tyre të menjëhershëm për të nisur ndërtimin e spitalit!!!

Pa asnjë dyshim, një përzgjedhje e tillë e vendndodhjes së spitalit, gjatë një shëtitje live, dhe një afat tre mujor për ndërtimin e tij, përbën një rast unik global! Vetëm rivlerësimi i studimit të fizibilitetit, përgatitja e projektit të detajuar të zbatimit dhe marrja e lejes së ndërtimit e kalon ndjeshëm këtë kohëzgjatje (pa llogaritur periudhën e tenderimit).

Gjatë pandemisë, Kina habiti botën duke ndërtuar brenda disa ditëve dy spitale në zonën e Wuhan-it. Ato u quajtën “instant hospitals”, u ngritën në përgjigje të epidemisë dhe trajtuan për rreth dy muaj disa mijëra pacientë të prekur nga COVID. Tashmë këta dy spitale janë mbyllur, sikundër qëndron i mbyllur prej 17 vjetësh një spital i ndërtuar në mënyrë të ngjashme në përgjigje të SARS-1.

Kjo sepse të ndërtosh një spital për t’ju përgjigjur një situate mjeksore emergjente dhe të ndërtosh një spital që do t’u përgjigjet për disa dhjetëra vjet nevojave shëndetësore të një popullate janë dy gjëra krejt të ndryshme!

I dashur Borat!

Shëndeti dhe jeta e njerëzve është çështje serioze! Edhe gjatë fushatës elektorale kur duhet “hapur thesi” për të mbledhur vota me çdo kusht dhe në çdo mënyrë!

Në fushën e shëndetësisë, u ke lënë shqiptarëve një trashëgimi për të qarë hallin që konsiston kryesisht në spitale të bojatisur! Dy-tre vjet pas ikjes tënde, godinave të spitaleve do t’u dalë boja dhe bashkë me të edhe “trashëgimisë” tënde!

Mos u lër në kurriz shqiptarëve edhe një çiban të përjetshëm i cili, në vend që të zgjidhë hallet shëndetësore të qindra mijëra personave, mund të krijojë një gropë shëndetësore, mjedisore, inxhinierike, urbanistike dhe financiare!

Dëgjoji njëherë profesionistët…

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *