Dita e djeshme shënoi dhe rekordin e ri të rasteve ditore me Covid 19 në vendin tonë, ndërkohë që eksperti i shëndetësisë Erion Dasho pretendon se numrat fshihen nga Ministria e Shëndetësisë dhe se në një spital koronavirus ka pasur 12 vdekje.
Madje, ai shton se në këtë listë nuk gjenden kolegët e tij, mjekët, për të cilët ndoshta ka pasur edhe ndonjë status prekës nga ana e Ministrisë.
“Duke bërë tre muaj karantinë, virusi u mbajt i fjetur për tre muaj. Nga qershori deri tani ka pasur vetëm shtim të rasteve. Shqipëria u rrit në qershor, kur Italia, Spanja dhe Gjermania thuajse ishin zeruar. Gjatë këtyre muajve, Shqipëria ishte ndër vendet me vdekshmërinë më të lartë në Europë.
Vetëm me statistikat që nxjerr MSH, Shqipëria e ka vdekshmërinë 2.6 përqind, kurse Gjermania dhe Italia e kanë shumë më të vogël. Kjo vjen për shkak se trajtimi është në nivele skandaloze. Një personi të trajtuar në familje, fatura i shkon 11 mijë euro.
Vetëm në një spital Covid ka pasur 12 vdekje. Tamponi i nxjerr negativ sepse vijnë vonë në spital. Zyrtarisht ky person deklarohet i vdekur për arsye të tjera. Kemi kolegë mjekë që kanë vdekur. Asnjëri nuk u përfshi në statistikat e Ministrisë së Shëndetësisë,” tha Dasho.
(E.K/Faxweb.al)