Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan tha se kur të përfundojnë punimet për vaksinën vendase, parashikojnë që ta ofrojnë vaksinën në përdorimin e të gjithë njerëzve në kushte më të përshtatshme, raporton Anadolu Agency.
Presidenti Erdogan, nëpërmjet internetit dërgoi një video-mesazh me titull “Financimi i Zhvillimit gjatë dhe pas COVID-19” në aktivitetin e organizuar nga Kombet e Bashkuara (OKB) me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve dhe qeverive.
Fjalën e tij Erdogan e filloi me falënderimet ndaj pjesëmarrësve dhe Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres si dhe kryeministrave të Kanadasë dhe Xhamajkës për këtë iniciativë kuptimplote.
“Pandemia e COVID-19 e cila ka lënë pas një periudhë 1 vjeçare ka paraqitur para syve se fati i njerëzisë është i përbashkët përballë problemeve globale”, tha Erdogan i cili shtoi se Turqia që në fillim të kësaj lufte është përpjekur të forcojë solidarizimin global dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Me këtë qasje Turqia ka siguruar mbështetje dhe ndihmë mjekësore për 157 vende dhe 12 organizata ndërkombëtare, tha Erdogan, duke vazhduar më tej:
“Në këto ditë të vështira nuk kemi lënë vetëm kryesisht vëllezërit tanë afrikanë. Në periudhën 2009-2019 kemi kryer me 2.5 miliardë dollarë ndihmë zyrtare për zhvillim vetëm për vendet më pak të zhvilluara. Pandemia e COVID-19 ka zbuluar edhe një herë shtrembërimet në sistemin global që ne kemi shprehur pothuajse në çdo platformë. Pandemia globale e cila ka kapur të papërgatitur edhe vendet më të pasura të botës, ka shkaktuar rrënime serioze sidomos për vendet e zhvilluara më pak”.
“Padrejtësia e cila qartësohet edhe më shumë me pandeminë, është bërë shumë më e rëndë me çështjen e vaksinimit. Ne shohim se rreth 100 vende në botë nuk mund të kenë ende qasje në vaksina. Në emër të njerëzisë dhe vlerave njerëzore është një situatë alarmante që miliarda njerëz nuk kanë siguruar as dozën e parë të vaksinës ndërsa ka vende që kanë vaksinuar gati gjithë popullsinë. Është më se e qartë se pandemia nuk do të mbarojë dhe rimëkëmbja ekonomike nuk do të realizohet pa siguruar qasje të drejtë në vaksinë”, tha Erdogan.
Ai vuri theksin se vendet që kanë arritur sasinë për të vaksinuar shtetasit e tyre duhet t’u shpërndajnë vendeve në nevojë vaksinat e tepërta.