Mëngjesin e sotëm garazhi i një pallati në rrugën “Fadil Deliu” në kryeqytet është përfshirë nga flakët rreth orës 07:30.
Shërbimi zjarrfikës së bashku me Policinë e Shtetit kanë bërë të mundur evakuimin e banorëve dhe vënien nën kontroll të flakëve. Grupi hetimor ndohet në vendngjarje dhe po heton mbi shkaqet e rënies së zjarrit.
Siç shihet dhe nga fotoja e siguruara nga FaxNews, një moment emocionues është kapur gjatë evakuimit të banorëve, teksa shihet një foshnje e vogël në duart e zjarrfikësve të cilët e nxjerrin nga pallati përmes shkallëve të emergjencës.
Si pasojë e zjarrit mësohet se është shkrumbuar plotësisht një automjet tip ‘Range Rover’ në pronësi të shtetasit Kristi Bezhani, si dhe janë dëmtuar dhe 2 mjete të tjera.
Është ende e paqartë nëse rënia e zjarrit është aksidentale apo e qëllimtë, ndërkohë që grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të përfshirjes së automjetit nga flakët.