FlashSportTe FunditTe Gjitha

Emisarët e Barçës zbarkojnë në Paris për Neymar

Barça përshpejton negociatat për Neymar Jr, pas shtysës që i dha së fundi Leo Messi operacionit të rikthimit të brazilianit në “Camp Nou”. Kapiteni i kampionëve të La Liga-s e ka telefonuar ish-bashkëlojtarin, duke i kërkuar të mos avancojë në bisedimet me Real Madridin, sepse nuk do t’i pëlqente askujt kjo tradhti, kalimi te armiqtë e përjetshëm të katalanasve.

Patjetër, Leo i ka dhënë edhe garancinë se Barça do të nisë mësymjen përfundimtare për të mbyllur gjithçka.

Për pasojë, këtë të martë, tre emisarë kanë udhëtuar drejt Parisit si përfaqësues të klubit blaugrana, për t’i dërguar ofertën e parë zyrtare PSG. Ekspedita drejtohet nga Javier Bordas, anëtar i zonës sportive të klubit, Eric Abidal, sekretar teknik, dhe ndërmjetësi André Cury, i cili pati rol të konsiderueshëm edhe në vitin 2013 për ta përfunduar me sukses transferimin e Neymar në Katalonjë. Të tre janë tashmë në Francë, sipas “El Chiringuito”.

Gazeta franceze “Le Parisien” tashmë e ka paralajmëruar dëshirën e brazilianit për t’u kthyer te Barcelona. Ajo shkruan se gjigantët e La Liga-s ofrojnë Coutinho + 80 milionë euro, si fillim. Drejtuesit e klubit katalanas dëshirojnë të përfitojnë nga kjo situatë, për të bërë presion ndaj PSG dhe për ta fituar garën me Real Madridin, gjithashtu i interesuar për ta marrë yllin e “Selecao”.

Parizienët duan ta shesin Neymar sa më shpejt të jetë e mundur, për t’u përqendruar plotësisht në sezonin 2019-2020, pa çështje të tilla të hapura. Nxitimi për ta hequr qafe brazilianin mund të favorizojë Barçën, e cila tashmë ka bërë hapin e parë, ka dërguar përfaqësuesit e vet, bashkë me ofertën konkrete, në kryeqytetin e Francës.

Pritet që në këtë takim të vendosen kontaktet zyrtare, sepse katalanasit e dinë mirë që do të jetë e vështirë të arrihet shpejt një marrëveshje përfundimtare. PSG vazhdon të kërkojë një shumë të madhe parash, ndërsa Barça dëshiron të përfshijë lojtarë të vetët në operacion, për ta ulur koston financiare. Ky takim do të shërbejë për të qetësuar shpirtrat dhe për të gjetur pikat e përbashkëta midis klubeve, që mund t’i kënaqin të dyja palët.

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *