Agjencia Evropiane e Ilaçeve, EMA ka konfirmur efikasitetin e vaksinës së Oksfordit, ‘AstraZeneca’. Në një deklaratë për shtyp, autoriteti i kontrollit të barnave, bëri me dije se rastet e mpiksjes së gjakut janë të rralla, ndaj ata këshillojnë që qytetarët të marrin këtë vaksinë.
Agjencia në fjalë ka thënë se shumica e rasteve që janë raportuar me trashje gjaku, janë gra nën moshën 60-vjeçare, brenda dy javëve të vaksinimit.
Ajo ka thënë se bazuar në të dhënat aktuale, Agjencia nuk ka qenë në gjendje të identifikojë faktorë specifikë të rrezikut.
Ekspertët kanë rishikuar disa dhjetëra raste që janë raportuar në Evropë dhe Mbretëri të Bashkuar, ku 25 milionë persona kanë marrë vaksinën e kompanisë AstraZenenca.
“Rastet e raportuara të trashjeve jo të zakonshme të gjakut, pas vaksinimit me vaksinën e AstraZenecas, duhet të renditen si efekte të mundshme anësore të vaksinës”, ka thënë shefja ekzekutive e agjencisë, Emer Cooke.
Ajo shtoi se “Përfitimet janë shumë më herë më të larta, se sa efektet anësore, që sipas tyre ekziston një lidhje me mpiksjen, por që janë shumë të rralla, por që ende nuk i dihet shkaku”. Enti rregullator Europian ka vendosur se “mpiksjet e pazakonshme të gjakut” duhet të listohen si një efekt anësor “shumë i rrallë” i vaksinës AstraZeneca. Gjithashtu, është cilësuar se këto efekte anësore nuk i perkasin nje gropmoshe apo seksi.
Në vazhdim, EMA ka theksuar se vaksina është e sigurt për përdorim, por puna do të vazhdojë për studimin e rasteve të rralla, të cilat janë të zakonshme në një shkallë kaq të gjerë vaksinimi dhe varen direkt nga reagimi imun i gjithsecilit.
Enti Europian gjithashtu ka theksuar faktin se efikasiteti i vaksinës AstraZeneca është i provuar tashmë dhe të dhënat tregojnë që rastet e trombozës janë një rrezik minimal kundrejt përfitimeve të jashtëzakonshme në luftën kundër COVID-19.
(R.G/Faxweb.al)