Vizita e ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias në Tiranë u prit me protesta në kryeqytet, ndërkohë që kryeministri Edi Rama nuk hezitoi që ti quante protestuesit si “patriotë të detit” dhe ‘anti greke’.
“Më vjen keq për “patriotët e detit, por në këtë mënyrë duhet të gjejnë arsye të tjera për të shpallur patriotizmin e tyre, sepse “çështja e detit” nuk është më një çështje me të cilën mund të bëjnë propagandën e tyre të shpifur, anti-greke, që është një turp, dhe as elektorat patriotik, në Shqipëri apo në Kosovë. Të vetëvendosen në çështje të tjera”, u shpreh Rama.
Profesori i Filozofisë Elvis Hoxha, si dhë përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje, i ftuar në Fax News gjatë një interviste më “Xhaxhiun” , theksoi se asnjë udhëheqës nuk ka guxuar më parë që të bëjë një deklaratë të tilla, që ta quante popullin e tij racist.
Hoxha tha se Rama nuk mjaftohet me dhunën policore, me dhënien e detit grekëve, por duhet të shkojë dhe në akuza të tilla të trendit të racizmit.
“Stadi i funksioneve shtetërore shqiptarë është se ne aktualisht nuk kemi parlament që funksionon, nuk kemi Gjykatë të Lartë që funksionon, nuk kemi opozita, nuk kemi referendum nuk kemi shoqëri civile. Ky popull humbi gradualisht të gjitha aftësitë që përbënin demokracinë.
Kryeministri bërtet krenar i ka shuar të gjitha elementët që përbëjnë demokracinë dhe përballë kësaj ka vendosur policinë. Një grup njerëzish që del aty me shprehej kudër ardhjes së ministrit të Jashtëm grek, në një paqe të vërtetë dhe nuk ka asnjë lloj dhune. Na rrethuan nga të dyja anët dhe na shtynin, a thua se qëllimi i tyre ishte që të na hedhin në Lanë. Cili ishte instrumenti i vetëm që na ka mbetur na ka mbetur? Protesta! Dhe çfarë duan që të zhdukin edhe protestën, sado simbolike që të jetë ajo. Përballë kujt është kjo protestë? Përballë një shteti fqinj i cili ka hesape me Shqipërinë dhe pasi mbyllet me këtë dhunë policore, kryeministri del në një konferencë për shtyp, që është një nga konferencat më qesharake të mungesës së shtetit shqiptar.
Boshatisja totale e këtij populli nga elementët e demokracisë e bën kryeministrit jo mbret, një ekzekutues të interesave të tjerëve. Ai mund të cilësoje edhe popullin e vet si mbartës të një racizmi anti-grek. Rama nuk flet më si përfaqësues i shqiptarëve, por si përfaqësues i interesave fqinje.
Ne jemi sot me një udhëheqës që nuk mjaftohet për të legjitimuar të gjithë boshllëkun e demokracisë së vet. Nuk mjaftohet me dhunën policore, me dhënien e detit grekëve, por duhet të shkojë dhe në akuza të tilla të trendit të racizmit. Kjo është shumë e rëndë. Nëse një kryeministër jep imazhin e popullit të vet si popull racist, nuk ka guxuar asnjë udhëheqës tjetër në trevat shqiptare, asnjë udhëheqës nuk mund të thotë që kemi një popull që ushqen ndjenjën e racizmit. Shqiptarët kurrë nuk janë shprehur në mënyrë kolektive, apo ushtarake racizëm ndaj fqinjëve.“-tha Hoxha.
(M.Q/Faxweb.al)