Një denoncim i pazakontë ka mbërritur në redaksinë e Fax News këtë të enjte nga nëna e një 30-vjeçari nga Durrësi. Shpresa Ferizi thotë se djalit të saj, Elton Ferizi, i ka mbërritur kërkesa nga Operacioni Forca e Ligjit për të deklaruar pasurinë për 48 orë.
Ajo pretendon se djali jeton në një banesë të dëmtuar nga tërmeti, dhe nuk ka para as për biletë për të ardhur në Tiranë që të plotësojë formularin. Nëna e Elton Ferizit kërkon OFL-së që të paktën ti mundësojë të riut paratë e biletës nga Durrësi në Tiranë sepse nuk ka para.
E pyetur nëse djali i saj ka precedent penal, Shpresa Ferizi tregon se në 2011 është dënuar me një vit burg pas një denoncimi të bërë prej saj për konsumimin e lëndëve narkotike.
Vetë Elton Ferizi, i kontaktuar nga Fax News, deklaroi se deri në momentin që të plotësojë formularin e vetëdeklarimit të pasurisë dhe mbylljes së procesit në tërësi, nuk mund të shprehet publikisht pasi ka frikë se mund të kompromentojë procesin.
“Djali nuk ka para as për të paguar biletën për në Tiranë, Eltoni jeton në një banesë të dëmtuar nga tërmeti, në shtëpinë time, nuk ka banesë të tijën. Në 2011 e denoncova djalin, konsumonte hashash, e denoncova për të hequr varësinë e tij nga narkotikët. Djali nuk përdor më as drogë as alkool, OFL të kap të fortët. I dërgoj çdo muaj para nga Italia djalit se është pa punë”, është shprehur Shpresa Ferizi për Fax News.
Në fakt kjo nuk është hera e parë që OFL akuzohet se nuk merret me kriminelët e vërtetë në vend, dhe se gjithë kjo strukturë e ngritur ka rezultuar një fiasko, që jo vetëm nuk ka dhënë rezultatet e pritshme, por po kthehet edhe qesharake në sytë e publikut.
Pak ditë më parë GJKKO i nisi një letër ministres Etilda Gjonaj, që të selektonte personat me të cilët merrej OFL, pasi SPAK sipas tyre po merrej me persona të dënuar për vepra penale të zakonshme, dhe jo për krime të rënda siç është në juridiksionin e tij.
Gjyqtarët kanë dalë në përfundim se shumica e kërkesave janë jashtë juridiksionit të SPAK, dhe e gjitha kjo sjell zvarritje të këtyre çështjeve dhe më pas shfryrje të tyre. (Lexo edhe këtu)
(E.K/Faxweb.al)