Detaje të reja janë mësuar nga hetimet lidhur me vrasjen e Tonin (Armando) Gjinit, mesditën e djeshme në qendër të Rrëshenit.
Burime bëjnë me dije se pista kryesore në të cilën po heton policia është ajo e prishjes së pazareve të drogës, por nuk përjashtohet as mundësia e një konflikti me grupin e Met Kananit, në të cilin Gjini ka qenë i përfshirë.
Shkak për këtë mund të jetë bërë fakti se ai doli nga burgu pak ditë pas arrestimit të tij si pjesë e grupit prej 37 personave të arrestuar.
Lidhur me vrasjen e tij janë shoqëruar 10 persona, të cilët janë marrë në pyetje dhe më pas janë lënë sërish të lirë. Sipas burimeve familja e Gjinit është e përfshirë në një gjakmarrje në të kaluarën, dhe kjo nuk përjashtohet si mundësi për vrasjen.
Ajo që tashmë duket e sigurt është fakti se vrasja e Gjinit është kryer nga ekzekutorë me pagesë, pasi saktësia në qitje, dhe shmangia e një tragjedie, që mund të përfshinte fëmijët e 48-vjeçarit, tregojnë se kemi të bëjmë me vrasës profesionistë.
Met Kanani, ose “Met shqiptari” siç njihej nga Turqit, apo me emrin “Eskobari shqiptar”, u kap nga autoritetet turke teksa priste një ngarkesë kanabisi prej 1.1 ton me vlerë 5 mln euro. Met Kanani shfrytëzonte vende si Shqipëria dhe Maqedonia për të dërguar drogën në Turqi. Rrugë kalimi ishin edhe Greqia me Italinë. Ndërsa nga Afganistani trafikonte në Turqi heroinë dhe nga aty droga e fortë shpërndahej në tregun europian.
Sipas mediave në Turqi, Met Kanani është personi që ka tentuar të trafikojë në nëntor të 2017-së 1.6 ton kanabis që u kap nga Policia Greke pas një përleshje në det.
Ka qenë Met Kanani personi që dyshohet se ka tentuar të çojë në Greqi këtë sasi droge, ku njerëzit e tij janë përplasur me Policinë, aq sa u desh ndërhyrja edhe e një helikopteri nga ajri për të prangosur personat që ishin në bordin e anijes që po bënte trafikimin e kanabisit.
(E.K/Faxweb.al)