Arrestohet në Pejë Gjelosh Krasniqi, i akuzuar për vrasjen e Briken Sanajt në zonën e Kodrës së Diellit, në Tiranë. Gjelosh Krasniqi, 49 vjeç, i lindur dhe banues në Pejë, ishte në kërkim ndërkombëtar për llogari të drejtësisë shqiptare si i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Vrasja ka ndodhur në orët e vona të natës së 30 tetorit, ku viktima 39-vjeçar sapo ishte kthyer nga një dasmë në Lezhë.
Edhe pse zona ishte me siguri të shtuar dhe kamera, së paku dy persona me një mjet ‘Benz’ me targa të vjedhura qëlluan për vdekje në derën e një garazhi 39-vjeçarin Briken Sanaj.
Makina tip “Benz” që përdorën autorët u gjet e djegur pas ngjarjes, në Qafë Kashar, ndërsa brenda saj u gjet një armë tip kallashnikov. Makina ishte me targa të vjedhura në Tiranë, vetëm pak ditë para se të ndodhte atentati. Ngjarja dyshohet se ndodhi për hakmarrje.