Në ish-kampin e internimit në Tepelenë është mbajtur sot ceremonia e përurimit të ekspozitës të përhershme. Në këtë kamp në vitet 1949-1980 pati shumë vdekje.
Mes të pranishmeve në këtë përurim ishte edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim. Kjo e fundit tha se pavarësisht fakteve duhet të përballemi me të shkuarën.
Ajo tha se ka ende familjarë që nuk e dinë se ku janë varrosur eshtrat e të afërmëve të tyre.
“Nuk mendoj që askush do të jetojë me të shkuarën. Por gjithashtu duhet të përballemi me të shkuarën dhe ti shikojmë faktet. Nuk është e drejtë që ka kaq shumë familjarët që s’dinë ku janë varrosur eshtrat e njerëzve të tyre. Mos u dorëzoni. Të kërkoni të vërtetën. Brenda zemrës sonë të kërkojmë drejtësi”– u shpreh Yuri Kim.
Rikujtojmë se në kampin e Tepelenës u internuan rreth 1500 familje, me afësrisht 3380 persona.
1255 prej tyre ishin gra, 1163 fëmijë dhe 963 burra. Qeveria e SHBA-së në vitin 1955 e përmendi kampin e Tepelenës në OKB në ankesën e saj për shkelje të të drejtave të njeriut dhe për përdorimin e punës së detyruar si mjet ndëshkimi.