Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetFlashKryesorePolitikëTe FunditTe Gjitha

Dritan Leli “kurbani” i parë i Edi Ramës, kryeministri e thërret në mbledhje urgjente: Mandati yt mund të mbarojë shume shpejt (Zbulohen prapaskenat e zënkës mes tyre)

Pakënaqësitë gjithnjë e në rritje të qytetarëve të Vlorës ndaj administratës së bashkisë dhe kryetarit të saj Dritan Leli janë vënë në vëmendjen e Kryeministrit Edi Rama. I ndodhur ditën e djeshme në Vlorë, krejt papritur Rama ka thërritur në një takim urgjent kryebashkiakun Leli, kryetarin e Partisë Socialiste Socialiste lokale Anduel Tahiraj dhe drejtues të institucioneve vendore. FaxNews ka arritur të mësojë detaje nga ky takim i djeshëm, zhvilluar jo vetëm pa prezencën e medias por ku as deputetët e Vlorës nuk kanë qenë të pranishëm.

Gjatë ditëve të fundit, mësohet se nje grup përfaqësuesish të bizneseve në zonën e Zvernecit kishin tentuar të takonin kryebashkiakun Leli për ti shprehur shqetësimin e tyre se prishjet e objekteve që po planifikohet të kryhen në këtë zonë do të dëmtojnë sezonin turistik dhe ekonominë e qytetit. Refuzimi i Lelit për tu adresuar atje ku duhet këtë shqetësim ka bërë që Rama ta thërrasë mbledhjen pikërisht në Zvernec.

Mësohet se gjatë takimit, Rama ka shprehur hapur pakënaqësitë e tij ndaj Dritan Lelit, përfshirë dhe këtë sjellje ndaj bizneseve të zonës. Pakënaqësi që në fakt janë ekspozuar edhe në vizitat e vazhdueshme të Ramës në Vlorë ku nuk kanë munguar asnjëherë kritikat publike deri edhe për paaftësinë e kryebashkiakut për të rregulluar një pusetë të thjeshtë uji në Lungomare.

Në një kohë kur shtylla kurrizore e qytetit është transformuar nga investimet e kryera nga qeveria qendrore, lagjet dhe hapësirat brenda qytetit ende vazhdojnë të jenë në gjendje të mjerueshme. Pasqyrë e cila duket se ka rritur kontrastin dhe shtuar pakënaqësitë ndaj kryebashkiakut Leli.

FaxNews ka mësuar se gjatë seancës së djeshme të llogaridhënies Rama ka qene tepër kritik madje edhe e ka paralajmëruar Dritan Lelin se mandati i tij mund të marrë fund shumë shpejt, pa e përfunduar atë. Kujtojmë se në fakt Leli u rikonfirmua në detyrën e kryebashkiakut Qershorin e vitit 2019 në një garë pa rivalë dhe ku nuk arriti dot të grumbullojë as votat që kishte marrë në vitin 2015 kur u zgjodh për herë të parë. Shkak për këtë rezultat mësohet të jetë cilësuar jo vetëm performanca e tij e dobët në punët publike por edhe marrëdhëniet problematike me degën lokale të Partisë Socialiste.

Një tjetër shqetësim që siç duket ka ndezur sinjalin e kuq të alarmit tek Rama është pretendimi se Leli nuk përfill as Këshillin Bashkiak ndërsa shumicën e kohës ja kushton daljeve televizive dhe udhëtimeve drejt Tiranës duke qene vetvetiu larg punëve publike të përditshme me të cilat merret bashkia e që shqetësojne dhe qytetarët vlonjat.

Formati i zgjedhur nga Rama për ta zhvilluar këtë seancë llogaridhënieje me Lelin në sytë e të drejtuesve lokalë të institucioneve duket se ka synuar jo vetëm “dushin e ftohtë” ndaj Lelit por edhe bërjen e tij shembull për çdo funksionar shteti në Vlorë.

Në një kohë kur kurba e marrëdhënies mes Kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut të Vlorës ka kapur pikën më të ulët, sfida e vetme politike e Lelit duket se do të jetë të mbyllë mandatin e tij pa e ndërprerë atë në mes.

Fjalët Kyce
Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *