Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka foli në një lidhje live për Fax News për drejtimin në qarkun e Durrësit për të koordinuar strukturat dhe për të nisur përgatitjet për zgjedhjet e 25 Prillit. Ai u shpreh se ende nuk ka një vendim për këtë çështje pasi po diskutohet ende për mënyrën se si do të ndahen qarqet, të cilat do të bëhen publike pas disa ditësh.
“Ende nuk ka një vendim për këtë çështje. Do të diskutohet ende për mënyrën se si do të ndahen qarqet. Edhe pak ditë e do të bëhen publike.
Nuk është një çështje se ku kam menduar unë, problemi është që vendimet merren duke parë një kuadër më të gjerë se sa thjesht dëshirës se ku dua të kandidoj unë apo Basha. Do të shihet aty ku ne jemi më të nevojshëm dhe mund të japim rezultatin më optimal.
Nuk ka një proces riorganizimi, jemi në fushatë elektorale pavarësisht se jo në ritmet e periudhës të fushatës zyrtare, por jemi vetëm pak muaj nga zgjedhjet dhe të gjitha partitë janë në fushatë. Janë për tu mbyllur çështjet teknike që çdo parti duhet të përgatisë për zgjedhjet, por praktikisht PD, opozita dhe gjithë partitë e frontit opozitar janë në fushatë elektorale”, tha Paloka.
Sa i përket takimeve që kanë zhvilluar me qytetarët për rezultatin e 25 Prillit, Paloka u shpreh i bindur se gjithcka dëshirojnë është largimi i Ramës por mbetet për tu parë se si do të shpërndahen votat e personave të pakënaqur.
“Mendoj që jo vetëm nga kontaktet e përditshme që ne kemi me qytetarët, por besoj që në të gjitha format, është e qartë se shumica e qytetarëve ka të paktën një qëllim të përbashkët, që është largimi një orë e më parë i Ramës dhe i kësaj qeverie. Se si do të përkthehet në vota kjo dëshirë e shumicës shqiptare, a do të jenë të gjitha për frontin opozitar apo do të ndahen, kjo mbetet për tu parë. Por është mëse e sigurtë që në çdo moment, largimi i kësaj qeverie, i Ramës si kryeministër është cështje që shumica e shqiptarëve nuk e diskutojnë më”, u shpreh Paloka.
Ndërsa për opinionin paraprak të Komisionit të Venecias në lidhje me ndryshimet e njënashme kushtetuese, nënkryetari i PD u shpreh se nuk priste asgjë tjetër pasi sipas tij, shkeljet e Ramës janë evidente.
“Tregon qartazi linjën si do të jetë raporti përfundimtar. Nuk prisja diçka tjetër. Edhe Rama e dinte cili do të ishte konkluzioni. Jo më kot e shtyu takimin me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias disa herë. Pra fakti është që Komisioni tashmë e ka një konturim të qartë të vendimit që besoj do të bëhet publik zyrtarisht pas pak ditësh. Është një vendim që pritej nga të gjithë sepse shkeljet që ka bërë Rama janë evidente. Këto kohë, për fatin tonë të keq është përdorur si Gjykatë Kushtetuese për shqiptarët sepse ne kemi kaq kohë që na mungon dhe këto probleme do të duhet ti zgjidhte Gjykata Kushtetuese shqiptare.
Fakti që Rama e pengon ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, na ka detyruar që shumë institucione shqiptare, individë apo parti ti drejtohen për çështjet Kushtetuese Komisionit të Venecias. Dhe praktikisht ka qenë një lloj Gjykate Kushtetuese për shqiptarët”, vijoi Paloka. (A.M/Faxweb.al)