Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në homazhet që po mbahen në ‘Pallatin e Kongreseve’ në nderim të Bashkim Finos, deputetit, ish-kryeministrit dhe ministrit socialist, i cili u nda nga jeta si pasojë e Covid 19, në moshën 59-vjeçare.
Rama shoqërohej në këto homazhe nga ana e bashkëshortes së tij Linda Rama, ndërsa nuk ka preferuar të flasë për gazetarët.
Dita e sotme është shpallur ditë zie kombëtare në nderim të Finos, ndërsa institucionet shtetërore kanë ulur flamujt në gjysmë shtizë.
Homazhet kanë nisur në Pallatin e Kongreseve që prej orës 12:00, dhe do të vazhdojnë deri në orën 16:00, kur do të bëher dhe përcjellja për në banesën e fundit të të ndjerit.
Homazhe në nderim të Finos kanë kryer sot më herët presidenti Ilir Meta, kreu i PD-së Lulzim Basha, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, si dhe përfaqësues të tjerë socialistë.
Rama do të shkruante në rrjetet sociale për vdekjen e Finos: E pabesueshme, po shumë fatkeqësisht e vërtetë, miku im, miku ynë i mirë Bashkim Fino nuk jeton më! Nuk kam fjalë.
Sot për familjen tonë të madhe është një ditë zie, aktivitetet tona elektorale do të ndalen, në nderim e kujtim të vëllait tonë të dashur.
(E.K/Faxweb.al)