Presidenti Ilir Meta ka ndjekur mbrëmjen e sotme nga pallati i sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër sfidën e basketbollit mes Vllaznisë dhe Tiranës, ndërsa pas takimit është pyetur nga gazetarët për emocionet e ndeshjes, me kë ishte tifoz dhe nëse ka respekt për kryeministrin si ish-sportist.
Meta tha se u ndje mjaft mirë gjatë takimit të sotëm pasi ishte përballje e bukur mes dy ekipeve, sa i përket tifozërisë, ai tha se është kuqezi, ndërsa i kushtoi rëndësi investimeve në infrastrukturën sportive.
Sa i përket kryeministrit Rama, Meta tha se ka respekt për të si ish-basketbollist pavarësisht se e bënte shumë personale, ndërsa shtoi se në politikë bën më shumë faulla se në kohën kur ishte sportist.
Jeni i kënaqur për këtë ndeshje?
Meta: Ishte ndeshje shumë e bukur. Arrita të kuptoj edhe më mirë se ku ndodhet basketbolli ynë. Ka mundësi të mëdha, po bëhen sakrifica të mëdha. Ka nevojë për investime në infrastrukturë. Jam shumë i lumtur që pash shumë vajza dhe shumë gra, dhe kjo është një arsye mjaft e rëndësishme për ti mbështetur edhe më shumë lojërat me dorë sepse janë mjaft tërheqëse dhe jo përjashtuese, pra janë edhe për djem edhe për vajza.
Ishit tifoz i Vllaznisë apo Tiranës sot?
Meta: Kuqezi, të dyja ekipet ishin në rregull, madje kanë një të përbashkët të dyja ekipet kanë ngjyrën blu.
I dhuruat një tufë me lule me rastin e ditëlindjes legjendës Bledar Gjecaj, një mesazh për mësuesit?!
Meta: Ishte kënaqësi t’i dhuroja një tufë me lule një personaliteti të spotit të Vllaznisë por edhe një basketbollisti të ekipit kombëtar, një lojtar, trajner në Shqipëri por edhe në Kosovë. Është 7 Marsi dhe një mundësi e mirë për t’u përkulur ndaj çdo mësuesi, puna e tyre duhet mbështetur edhe në të ardhmen. Ndaj duhen më shumë investime në infrastrukturën sportive.
E repsektoni kryeministrin si ish-sportist?
Meta: E respektoj patjetër edhe kryeministrin, megjithëse ai e bënte shumë personale në basketboll dhe për fat të keq në politikë bën edhe më shumë faulla se në basketboll, faleminderit.
(F.GJ/FAXWEB.AL)