Presidenti Ilir Meta ka dekoruar sot Avni Rustemin në 125 vjetorin e tij të lindjes me Dekoratën e Flamurit Kombëtar, më të lartën e Republikës.
“Me rastin e 125-vjetorit të lindjes, në vlerësim dhe mirënjohje të thellë për aktin e Tij të lartë patriotik, që kreu 100 vjet më parë, duke asgjësuar armikun kryesor të brendshëm, që mbante peng procesin e rivendosjes se Pavarësisë e të sovranitetit të shtetit shqiptar të shpallur nga Ismail Qemali, kam sot nderin dhe privilegjin të vlerësoj Heroin e Popullit, Avni Rustemi, me Dekoratën e Flamurit Kombëtar, më të lartën e Republikës.
Akti i tij burrëror dhe mbrojtja dinjitoze e çështjes shqiptare në gjyqin historik të Parisit, patën një jehonë të gjerë ndërkombëtare dhe u bënë burim frymëzimi për qëndresën mbarë shqiptare kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre, gjë që u manifestua në Luftën Kombëtare të Vlorës. “, shkruan Meta në Facebook.
Një vit më parë, ndërsa presidenti Meta ishte në përballje të ashpër me mazhorancën dhe për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve njëpartiake në 30 qershor, 2 ditë më pas lëshoi një deklaratë duke iu drejtuar George Soros se nuk ishte i racës së Gruevskit, por i Avni Rustemit dhe Mic Sokolit.
“Unë do t’i them zotit Soros, – I uroj jetë të gjatë! I uroj suksese edhe të birit, i cili vjen shpesh në Shqipëri dhe është i mirëpritur dhe këtu, që t’ia them edhe nga afër, meqë shkon shpesh në Kosovë, në Serbi. T’i gëzojë ato miliardat e veta! Shqipëria është vërtet një vend i vogël për përmasat e tij, ndaj të vazhdojë të investojë në tregje të mëdha sepse Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit! Është President i Shqipërisë dhe do i dalë për zot Shqipërisë!
Është i racës së politikanit të tipit Avni Rustemi, edhe i disa shqiptarëve të tjerë si Mic Sokoli, Vojo Kushi, etj.”, u shpreh Meta në një konferencë për mediat.