Misioni i Shteteve të Bashkuara në OSBE ka dalë me një deklaratë zyrtare për zgjedhjet parlamentare të 25 prill në Shqipëri, duke theksuar se fenomeni i përhapur i blerjes së votave mbetet një problem në vendin tonë.
Misioni thekson gjithashtu se në raport vihet re se partia qeverisë ka shfrytëzuar shumë avantazhin e të qenurit në pushtet.
“Ndërsa kishte shumë aspekte pozitive të zgjedhjeve të Shqipërisë, SH.B.A. vëren gjetjen e misionit vëzhgues të OSBE-së që partia qeverisëse përfitoi shumë nga avantazhi i të qenurit në pushtet. Ne gjithashtu vërejmë konstatimin se blerja e përhapur e votave mbeti një problem,” shkruan misioni në Twitter.
Në deklaratën e plotë të Misionit vihet re dhe kritika për skandalin me të dhënat e 900 mijë qytetarëve shqiptarë, teksa në reagim theksohet shqetësimi mbi rrjedhjet e të dhënave personale të ndjeshme, duke përfshirë preferencat politike të votuesve.
Për më tepër, në raportin e Misionit thuhet se Shtetet e Bashkuara përsërisin thirrjen që forca e ligjit dhe sistemi gjyqësor t’i kërkojnë llogari çdo individi që shkeli ligjin dhe pengoi të drejtën e popullit të Shqipërisë për të votuar në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Misioni shton se e mirëpret njoftimin e SPAK për fillimin e hetimeve për krimet zgjedhore.
Deklarata e plote:
Shtetet e Bashkuara përgëzojnë popullin e Shqipërisë për angazhimin e tyre aktiv në zgjedhjet e tyre parlamentare në 25 Prill. Ne përgëzojmë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mbajtjen e një procesi zgjedhor të mirë-organizuar dhe në mënyrë të përshtatshme transparente, pavarësisht nga sfidat e paraqitura nga pandemia dhe zbatimi i teknologjive të reja.
Vëmë re se këto zgjedhje panë zbatimin e suksesshëm të kodit të ri zgjedhor, rezultat i një kompromisi të lehtësuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Për më tepër, siç është përmendur në raportin paraprak të ODIHR, shumica e bashkëbiseduesve të Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve (IEOM) përgëzuan sistemin e ri elektronik të identifikimit të votuesve dhe e panë sistemin si një mënyrë për të zbutur rrezikun e votimit të dyfishtë, votimit familjar dhe falsifikimit të zgjedhësve. Shtetet e Bashkuara ishin gjithashtu të kënaqur kur panë të gjitha partitë përkatëse të marrin pjesë në zgjedhje, hera e parë që ndodhi që nga viti 2017.
Përmirësimet në kodin zgjedhor të Shqipërisë dhe pjesëmarrja e një numri partish në zgjedhje është demokraci në veprim dhe tregon angazhimin e Shqipërisë për zhvillimin e saj demokratik.
Ndërsa kishte shumë aspekte pozitive të zgjedhjeve parlamentare të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara vërejnë konstatimin e misionit vëzhgues të OSBE-së se partia në pushtet shfrytezoi përparësi të konsiderueshme nga pushteti i saj, përfshirë kontrollin e administratave lokale dhe keqpërdorimit të burimeve administrative. Ne gjithashtu vërejmë konstatimin e tyre se praktikat e përhapura të blerjes së votës mbetën një problem dhe ne përforcojmë shqetësimet mbi rrjedhjet e të dhënave personale të ndjeshme, duke përfshirë preferencat politike të votuesve. Shtetet e Bashkuara përsërisin se forca e ligjit dhe gjyqësori duhet t’i kërkojnë llogari çdo individ që shkeli ligjin dhe pengoi të drejtën e popullit të Shqipërisë për të votuar në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne mirëpresim njoftimin e Gjykatës Speciale Antikorrupsion (SPAK) për hetimet e krimeve zgjedhore.
Shtetet e Bashkuara presin raportin përfundimtar të ODIHR dhe inkurajojnë Shqipërinë të përdorë këtë raport për të përmirësuar më tej proceset zgjedhore të saj. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me qeverinë shqiptare dhe popullin shqiptar për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë në demokraci, mbrojtje dhe tregti.
(E.H/Faxweb.al)