Gjykata e Beratit dha masën e sigurisë sot për drejtuesin e trajlerit, i cili pak ditë më parë u përplas me ambulancën dhe si pasojë mbeti e vdekur pacientja Llambrini Ashani, 82 vjeç.
Për drejtuesin e trajlerit, shtetasin rus, Zako Brajeviç, 50-vjeç u vendos masa “Garanci pasurore” me kusht “Detyrim paraqitje” brenda një muaji në Prokurorinë e Beratit. 50-vjeçari do të paguajë 10 milionë lekë si garanci, ndërsa në rast shkeljeje, ai rrezikon burgun.
Gjyqtari Durim Hasa, në bazë të provave të grumbulluara e cilësoi cilësuar të vlefshëm arrestimin e tij. Ai u cilësua fajtor për përplasjen me ambulancën që po transportonte një të sëmurë drejt Spitalit Rajonal të Beratit.
Ngjarja ndodhi 4-ditë më parë në aksin nacional Berat-Urë Vajgurore, në vendin e quajtur “Otllak” dhe si pasojë e aksidentit të rëndë u plagosën: drejtuesi i ambulancës Arben Merko, 58-vjeç; infermieri Aleksandër Kati, 54-vjeç; e sëmura Llambrini Ashani, 82-vjeçe dhe familjarët e saj N. Ashani, 52-vjeçe dhe A. Ashani, 56-vjeç.
82-vjeçarja Llambrini Ashani nuk mundi tu shpëtojë dot plagëve të marra dhe gjeti vdekjen në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë edhe infermieri Aleksandër Kati, 54-vjeç.
Edhe pse në fillim u dyshua se shkak për aksidentit ishte bërë shpejtësia e madhe me të cilën po qarkullonte ambulanca në këtë aks, pas ekzaminimit të provave në vendngjarje dhe qartësimit të dinamikës së askidentit, rezultoi se trajleri që po futej në një pulari, i kishte prerë rrugën ambulancës. Në këtë mënyrë, policia arrestoi në mbrëmje Zako Brajeviçin.