Tekniku Unai Emery insiston se Granit Xhaka luajti mirë për Arsenalin, në ndeshjen e së dielës, kundër Tottenham, edhe pse ai shkaktoi një penallti shumë zhgënjyese gjatë pjesës së parë.
Derbi londinez përfundoi me barazimin 2-2. Mesfushori shqiptar i ndërhyri gabimisht Son Heung-min, duke shkaktuar 11-metërsh, të cilin e ktheu në gol Harry Kane.
Xhaka u kritikua rëndë për këtë rast nga mediat angleze dhe tifozët e “Topçinjve”, edhe pse Arsenali mblodhi forcat dhe barazoi falë golave të Alexandre Lacazette dhe Pierre-Emerick Aubameyang. Trajneri Emery, megjithatë, thotë se kishte më shumë gjëra pozitive sesa negative në performancën e 26-vjeçarit:
“Nëse analizojmë 90 minutat e lojës, unë jam shumë krenar për punën e tij. Disa gabime mund të bëhen nga gjithkush. Unë do të ndalem në to për të punuar dhe përmirësuar. Kishte gjëra më pozitive në planin kolektiv dhe individual.
Kjo vlen edhe për Xhakën, në syrin tim. Penalltia ishte me të vërtetë një veprim shumë zhgënjyes, por Graniti luajti shumë mirë. Nëse e fitonim ndeshjen, ndoshta do të flisnim më pak për gabimet. Në të vërtetë jam shumë krenar për punën e bërë, për lojtarët dhe tifozët tanë”.