Sot u zhvillua gjyqi i katër shqiptarëve trafikantë në Britani të cilët vunë në kurth dhe më pas e vranë me plumb në kokë një 30 vjeçar britanik me origjinë nga Kurdistani. Hamawand Ali Hussain, vdiq në vend pas goditjes në kokë, në një shtëpi në Hartlepool, në veri të Britanisë.
Të akuzuarit për vrasjen e Hussain janë 24 vjeçari Anxhelo Xhaferi, 33 vjeçari Dorian Pirija, 24 vjeçari Qazim Marku dhe 39 vjeçari Noza Safari.
Të katër shqiptarët refuzuan akuzën e vrasjes së Hussanit në gjykatën e Middlesbrough. Sipas prokurorëve të katërt, ata kishin organizuar ngjarjen dhe më pas ekzekutuan viktimën.
Prokurori Francis FitzGibbon tha se vrasësit ishin një grup trafikantësh shqiptarë drogash me të cilët zoti Hussain erdhi të takohej, me 1,000 paundë para në xhep. Akuza thotë se ata më 14 shtator 2019 ngritën kurthin për Hussain. Nëntë ditë më herët më 5 shtator, të akuzuarit ishin mbledhur bashkë në Bolton, për të diskutuar planin për vrasjen e Hussain.
FitzGibbon tha: “Në dhomën e hyrjes së një shtëpie të zbrazët në Hartlepool një burrë i quajtur Hemawand Hussain u qëllua në kokë nga distancë e afërt. Hussain ishte trafikant drogash që kishte shkuar në adresën Charterhouse Street në Hartlepool për t’u takuar me trafikantë të tjerë drogash, ose të paktën kështu ishte njoftuar. Por në fakt ata e joshën aty për ta vrarë. Ne besojmë se ata kishin përgatitur planin për të vrarë zotin Hussain.”
Në gjyq u tha se në ditën e takimit në Bolton, Xhaferi dhe një shoqërues i tij kishin blerë në një dyqan veglash një sëpatë, litar, doreza dhe kabllo lidhëse. Më pas të akuzuarit kishin siguruar çelësat e shtëpisë së zbrazur në Charterhouse Street, duke ia marrë të zotit.
Prokurori tha se Hussain ishte thirrur aty për të inspektuar një vend të mundshëm për të krijuar një ‘fermë’ ilegale kanabisi. Por kur ai erdhi, vrasësit po e prisnin dhe e qëlluan thuajse sapo hyri brenda.
Në kamerat e sigurisë një nga të akuzuarit largohej me një qese ku shihej një pushkë ‘shotgun’ me grykë të prerë. Një burrë që jetonte pranë skenës së vrasjes, i cili nuk dëgjon mirë, tha se papagalli i tij u tremb nga krisma.
Prokurorët thanë se nuk kanë një motiv të qartë për vrasjen, por besojnë se Hussain i kishte bërë armiq grupin e shqiptarëve, të cilët kishin vendosur ta eliminonin. Fitzgibbon tha: “Megjithëse nuk e dimë se cili prej tyre tërhoqi këmbëzën në rrugën Charterhouse Street për të vrarë Hussain, të gjithë ata kanë marrë pjesë aktive në akt”. Ndërkohë nuk është marrë një vendim pasi gjyqi vazhdon.