Presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski i ka dorëzuar pak minuta më parë mandatin kreut të LSDM-së, njëherë udhëheqësit të koalicionit “Mundemi” Zoran Zaev për formimin e qeverisë së re.
Sipas Kushtetutës, kreu i LSDM-së brenda 20 ditëve duhet të sigurojë shumicë parlamentare prej 61 deputetëve për formimin e qeverisë së re. Zaevit do ti duhen 61 mandate deputetësh për krijimin e qeverisë së re.
Ky veprim i kreut të shtetit vjen pikërisht në ditën kur skadon afati 10 ditësh për ndarjen e mandatit, pas konstituimit të Kuvendit më 4 gusht, pavarësisht pretendimeve të ish kryeparlamentarit Talat Xhaferi, i cili insiston se Kuvendi nuk mund të quhet i konstituuar, derisa nuk ka kryeparlamentar të zgjedhur, dhe se në këtë rast mandati nuk mund të ndahet.
Sipas tij, një gjë e tillë do të rrezikonte futjen në krizë kushtetuese-institucionale, pasi sipas tij, në mungesë të kryeparlamentarit, presidenti i shtetit nuk ka kënd ta informojë.
Megjithatë njohës të cështjeve juridike dhe kushtetuese, por edhe nga kabineti i presidentit kanë theksuar se nuk ka asnjë shkelje dhe se procedura është e rregullt. (INA)