Edhe gjatë 24 orëve të fundit janë zhvilluar kontrolle për të dyshuar që mund të jenë mbartës të virusit Còvid-19 në Krujë, e cila është pjesë e zonave të kuqe, që janë shpallur nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
Nga 35 tamponë të bërë ditën e djeshme vetëm 2 dyshohet të jenë pozitivë, bëjnë me dije burime për Faxweb.al, të cilët janë persona kontaktesh të mëparshëm. Një prej personave që ka rezultuar pozitiv ka pasur kontakt me një person të infektuar në Tiranë. Ndërkohë që pritet konfirmimi nga ministria e shendetësisë për këto 2 raste të reja.
Ndërkohë që qarku i Gjirokastrës është ende i paprekur, ku edhe dy tampone që janë marrë gjatë ditës së djeshme kanë rezultuar negative. Dje në vendin tonë u raportuan vetëm 4 raste të reja me Covid 19, që është numri më i ulët ditor i rasteve pozitive, që prej fillimit të pandemisë. Në total në vendin tonë janë prekur me COVID-19 872 qytetarë, 654 prej të cilëve janë shëruar, ose 75% e të gjithë të prekurve.
Në të gjithë vendin aktualisht janë 187 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz. Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh. Aktualisht në dy spitalet COVID janë të shtruar 28 pacientë dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive. Prej më shumë se 10 ditësh nuk kemi asnjë humbje jete.
Me pak se 15% e te prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet Covid, pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes. Nga fillimi i epidemisë, deri tani, në vendin tonë janë kryer 11089 testime, nga të cilat, 10559 janë testime molekulare dhe 530 janë testime serologjike. (E.K/Faxweb.al)