Kur ka kaluar tashmë një vit nga zhdukja e Fatjon Myrtajt nga Kreshpani në Fier, duket se hetimet kanë mbetur në vend dhe nuk po përparojnë aspak. Për të dyshuarin kryesor është lehtësuar masa e sigurisë nga masa e arrestit me burg në atë të shtëpisë, ndërkohë që nëna e Fatjonit gjithë sa kërkon është që të paktën të ketë një varr për të birin e tij.
‘Ka një vit që më ka humbur djali, policia nuk ka bërë asnjë lloj veprimi, e kanë nxjerrë të dyshuarin, e kanë bërë gjoja sikur është me fiksime. I bëj thirrje shtetit që o ta çojë brenda, ose do ta vras me duart e mija, se më ka ikur djali 30 vjeç”, shprehet e ëma.
Policia e Fierit vuri në pranga kohë më parë dy persona, Perlat dhe Lejdan Myrtaj të cilët sipas bluve dyshohet se kanë gisht në zhdukjen e Fatjonit.
29-vjeçari humbi kontaktet me familjen e tij në 16 shtator të vitit të kalua. Pasi nuk arritën të lidheshin me të, familjarët e tij kallëzuan në polici zhdukjen e Fatjonit. Sipas të dhenave te fundit, Perlat Myrtaj është kushëri i 29-vjeçarit Fatjon Myrtaj (djem xhaxhallarësh).
Për sa i përket shkaqeve të zhdukjes së 29-vjeçarit, policia Fier dhe Vlorë ende nuk ka asnjë hipotezë konkrete.
(E.K/Faxweb.al)