Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka çuar takimet elektorale në një nivel tjetër mbrëmjen e sotme, duke mos iu kushtuar aspak rëndësi rregullave anti-COVID, që ka vendosur qeveria e kundërsharit të tij politik, Kryeministrit Edi Rama për frenimin e pandemisë.
Në një takim, Basha është shfaqur live në orët e vona të natës, i rrethuar nga të rinj dhe simpatizantë të shumtë, që e kanë pritur atë me brohoritje për fitore.
Gjatë këtij takimi nuk kanë munguar edhe thirrjet “Rama ik”, ndërkohë që të rinjtë brohoritën fort “Basha!”, “Basha!”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe “Bravo Lulzim Basha”.
“Në Dibër, në mes të dibranëve. Ju uroj një mbrëmje sa më të këndshme”, tha Basha midis të tjerash.
Më herët gjatë ditës së premte, Kreu i PD-së foli para artistëve për zgjedhjet e 25 prillit teksa prezantoi programin e partisë së tij për artin dhe kulturën.
Kryedemokrati u shpreh se në këto zgjedhje ngrihet vetëm një pyetje, nëse do të vazhdojmë në këtë rrugë, apo do të zgjedhim ndryshimin për një të ardhme më të mirë.
Ai sulmoi edhe Kryeministrin Rama, që sipas tij, ka kryer një krim monstruoz me shembjen e Teatrit Kombëtar. “Unё dhe Partia Demokratike zotohemi solemnisht tё rindërtojmë Teatrin Kombëtar aty ku ishte, ashtu siç ishte dhe i pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme”, tha mes të tjerash Basha.