Policia franceze ka arrestuar një person, mashkull, në një autostradë në veri të Parisit, teksa janë vënë në ndjekje të drejtuesit që përplasi mjetin e tij mbi një grup ushtarësh, duke plagosur 6 prej tyre.
Dy zyrtarët që njoftuan arrestimin thonë se është ende herët të thuhet me saktësi nëse i arrestuari është pikërisht shoferi i dyshuar i sulmit të mëngjesit të sotëm në periferinë Levallois të Parisit. Por njëri prej tyre ka theksuar se arrestimi ka qenë i dhunshëm, e policisë i është dashur të hapë zjarr ndaj të dyshuarit.
Ngjarja është shënuar në autostradën “A16”, pasi drejtuesi i mjetit u ndalua gjatë kërkimeve të policisë për të dyshuarin e përfshirë në sulm. Zyrtarët në fjalë, gjithsesi kanë folur në kushte anonimati, pasi nuk janë të autorizuar të flasin mbi sulmin.
Ministri i Brendshëm i Francës reagoi më herët, duke e quajtur si të qëllimshëm sulmin e shoferit ndaj ushtarëve, pasi ai e kishte menduar mirë diçka të tillë.
Gerard Collomb u tha reporterëve se sulmi pranë Parisit shënon herën e gjashtë që ushtarët e përfshirë në operacionin “Sentinelle” kanë rënë prè. Në Francë, gjendja e emergjencës vijon të mbetet në fuqi që prej vitit 2015.
Collomb shtoi më tej se të plagosurit janë vizituar nga ministrja franceze e Mbrojtjes, Florence Parly, në spitalin ushtarak “Begin” pranë Parisit. Ministrja kishte marrë lajme të mira nga gjendja shëndetësore e 3 ushtarëve, të cilët fillimisht u raportuan si të plagosur në gjendje serioze. Dëmtimet e marra prej tyre ishin në fytyrë, gjunjë, pëllëmbët e duarve dhe në krahë.
(E.K/SHUPLAKA)