Janë identifikuar autorët e vrasjes së dyfishtë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në qendër të qytetit të Laçit. Burime bëjnë me dije se dy autorët e dyshuar për vrasjen e kushërinjve Mikel dhe Jani Jushi janë Vincenc Pali (bushi) dhe Markel Gjonbushi.
Të dy personat që dyshohen si autorë të kësaj ngjarje, kanë qenë me precedentë të mëparshëm penal për armëmbajtje pa leje, dhe janë konsideruar kontigjent të krimit.
Markel Gjonbushi ka qenë i përfshirë dhe në një përplasje me armë me Policinë e Laçit në muajin Tetor të vitit të kaluar. Nga kjo përplasje me armë i është rrezikuar jeta dhe tre efektivëve të Policisë.
Mësohet se konflikti ka ndodhur fillimisht në lokalin FC Laçi dhe më pas viktimat dhe autorët janë përplasur me armë në një rrugicë pranë zonës. (Lexo edhe ketu)
Burime policore raportojnë se vrasja ka ndodhur për motive banale, ndërsa dyshimet janë se autorët dhe viktimat të jenë konfliktuar dhe për prishjen e pazareve të drogës.
Lokali ku ka ndodhur ngjarja quhet “KF Laçi”, shumë pranë me rajonin e policisë. Ky ambient është i njohur në qytet për konflikte të tilla të cilat janë të herëpashershme, ndëkohë që qytetarët jashtë kamerave shprehen se ky lokal është shumë problematik sa i takon konsumimit të hashashit.
Detajet e policise:
Identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar të vrasjes së dy shtetasve, ndodhur mbrëmjen e djeshme.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 1 Laç, Kurbin, ku pas një konflikti për motive të dobëta u plagosën me armë zjarri dy shtetas të cilët më pas gjetën vdekjen në një nga spitalet private në Tiranë, Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Menjëherë sa është marrë njoftimi, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë së Kurbinit si dhe grupi hetimor. Në vijim janë ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët që lidhen me qytetin e Laçit si dhe disa pika kontrolli në akset kryesore rrugore, Milot -Lezhë, Milot -Kurbin -Tiranë.
Me mbështetjen e FNSH, janë kryer një sërë kontrollesh në banesa e vende të dyshimta ku mund të ishin fshehur autorët, si dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, 23 persona të cilët u pyetën në lidhje me ngjarjen.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, rezultoi se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit, dhe se autorët e dyshuar të vrasjes janë shtetasit: M. B., 25 vjeç, M. B., 23 vjeç dhe V. B., 28 vjeç, të tre lindur e banues në Kurbin.
Policia e Kurbinit vijon kontrollet intensive për gjetjen dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare Kurbin, për veprime te mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara, në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 79/dh, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.
(E.K/FAXWEB.AL)