Greqia ka pritur me nderime zyrtare dy ushtarët grekë që u liruan nga gjykata turke. Ata ishin kapur në ujërët territoriale turke dhe akuzoheshin për spiunazh.
Dy ushtarët Agelos Mitretodis dhe Dimitris Kuklatzis kanë mbërritur në Selanik me avionin qeveritar të kryeministrit Tsipras, që ishte dërguar posaçërisht për ta në Edrine.
Ata janë pritur në Aeroportin e Selanikut rreth orës 3 të mëngjesit të së mërkurës, nga ministri i Mbrojtjes Panos Kammenos dhe nga familjarët e tyre. Dy ushtarët grekë u lanë të lirë pas pas 167 ditësh në burgun e Edirnesë në Turqi.
“Në emër të kryeministrit, qeverisë dhe popullit grek i mirëpresim ushtarakët tanë në atdhe dhe shpresoj se lirimi i tyre do ta bëjë ditën e sotme të festës një ditë të shënuar për marrëdhëniet greko-turke”, tha Panos Kammenos, ministër i Mbrojtjes.
Kryeministri Aleksis Tsipras e cilësoi lirimin e tyre si një “akt drejtësie”, që do të ndihmojë në forcimin e miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit në rajon.
Sipas Athinës, vendimi i autoriteteve turke është pozitiv dhe do të kontribuojë në marrëdhëniet mes dy vendeve.
(B.H/Faxweb)