Dy të rinjtë, Ledio Saraçi 22 vjeç dhe Adenouer Konaxhiu, 21 vjeç, që mbetën të plagosur nga plumbat rikoshet të 71-vjeçarit Lefter Zhidro në Elbasan, ndodhen ende në spital.
Burime për Fax News bëjnë me dije se njëri prej tyre ka plagë më të mëdha nga plumbat, ndërsa ndodhen në reanimacion për t’iu nënshtruar operacionit për nxjerrjen e predhave dhe mbetjeve të tyre.
Familjarët e Ledio Saraçit thonë se të rinjtë janë shokë me njëri-tjetrin dhe kur ka ndodhur ngjarja kanë qënë duke lëvizur në punën e tyre kur kanë dëgjuar krismat e armës.
Pas plagosjes të panikosur janë futur duke u zvarritur në një dyqan, për t’iu shpëtuar plumbave të tjerë. Ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Familjarët e të rinjve nuk pranojnë të flasin para kamerave me arsyetimin se edhe vetë nuk kanë kuptuar asgjë përveç lajmeve që kanë ndjekur në media.
Familjarët e 71 vjeçarit ndodhen pranë apartamentit të rrethuar, dhe po përdoren për negocim.
Burime për Fax News bëjnë me dije se është ndërprerë energjia elektrike në gjithë zonën ku është vendosur perimetri i sigurisë. Pritet nga minuti në minut ndërhyrja me metoda të sofistikuara brenda banesës ku ndodhet 71 vjeçari. Në Elbasan konfirmohet prezenca e çdo agjensie përkatëse qoftë e për ndërhyrjet, dialogun, anti-eksplozivin etj. Në operacion të angazhuar persona me pozita të larta në policinë e shtetit.
Autoritetet policore, kanë 3 skenarë të mundshëm.
“E para është vazhdimi i negociatave deri në dorëzimin e 71-vjeçarit. Nuk përjashtohet edhe një ndërhyrje e forcave RENEA, duke përdorur gazin lotsjellës dhe neutralizimin e Lefter Zhidrut. Por nëse do të ketë kundërshtim nga ana e 71-vjeçarit, atëherë snajperët që janë vendosur në pallatet përballë, do të veprojë sipas policisë, duke mos saktësuar nëse do të merret një veprim duke tentuar edhe plagosjen e tij në mënyrë që të dorëzohet.
Por deri më tani duket se negociatat nuk kanë shkuar aq mirë, pasi 71-vjeçari është dëgjuar të bërtasë shpesh nëpër banesë. Nuk del më ballkon siç dilte në momentet e para dhe nuk ka pamje vizuale ende për policinë. Familjarë dhe oficerë të policisë po negociojnë për dorëzimin e tij, por siç duket ai vazhdon t’i kërcënoj se do t’i qëllojë, pasi siç thashë, ka në dorë një pistoletë dhe një kallashnikov dhe siç duket në momente të caktuara ai qëllon ku ndjen praninë e policisë pranë banesës së tij”.