Rreth 800 punonjës Uzinës së Përpunimit të Naftës në Ballsh kanë protestuar në mëngjesin e kësaj të hënë. Protesta e punonjësve ka ardhur pas rreth 4 muajve të papunë dhe dy muaj pa marrë pagesat siç ju premtua nga administrator.
Uzina e Ballshit është ndalur prej katër muajsh dhe 800 punonjës janë të papunë prej fundit të shtatorit të këtij viti.
Uzina është ndalur si shkak i mungesës me furnizim me lëndë të parë nga kompania nxjerrëse e naftës “Bankers” .
Sipas punonjësve të Uzinës së Ballshit, punëtorët prej dy (tetor -nentor), muajsh nuk janë paguar me pagese prej afro 25 mijë lekë sikurse ju premtua nga administratoret për aq kohë sa do të mungonte lënda e parë. Punëtoret kanë kërkuar ndërhyrje të qeverisë shqiptare dhe Ministrisë për të ndërhyre dhe për të zgjidhur këtë problem. Për aq kohë sa punonjësit do të jenë të papunë dhe në këtë situatë ata janë shprehur se do të protestojnë.
Nderkohe prej tetorit ,Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetim të thelluar ndaj Bankers Petroleum lidhur me tregun e prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto.
Hetimi ka nisur bazuar në ankesat e paraqitura pranë Autoritetit të Konkurrencës nga ndërmarrja “Tosk Energji SHA (Tosk) dhe “Al.Global Oil SHA “kundrejt ndërmarrjes “Bankers Petroleum Albania”, lidhur me abuzimin me pozitën dominuese të kësaj të fundit, filluan procedurat për vlerësimin e ankesës në respektim të Ligjit Nr. 9121/2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.
Në vendimin e publikuar më 10 tetor, Autoriteti i Konkurrencës bënte me dije se Bankers do të jetë nën hetim më të detajuar ne muajt e ardhshëm, lidhur me shkeljen e kontratave me kompanitë e rafinerive si dhe me pozitën e saj dominuese në treg për prodhimin dhe tregtimin e naftës bruto.
Sipas Tosk Energji, Bankers ka shkelur kontratën duke furnizuar rafinerinë e Ballshit me një sasi më të vogël nafte nga sa ishte parashikuar, çka ka vënë në vështirësi financiare kompaninë Tosk .
“Nga vlerësimi i informacionit të siguruar rezulton se ndërmarrja Tosk është furnizuar me sasi më të vogla se sasitë e parashikuara në kontratën e lidhur me Bankers. Kjo mënyrë furnizimi ka sjellë ndaljen e rafinerisë së ndërmarrjes Tosk Energy, ku shkaku kryesor i ndaljes ka qenë mos furnizimi me lëndë të parë.
Në kontratën e furnizimit me naftë bruto lidhur nga ndërmarrja Bankers me Tosk Energji, për vitin 2019, parashikohet një sasi më e vogël se kontrata e vitit 2018”, thuhet në vendim.
Në vendim thuhet se Bankers ka shkelur edhe ligjin në lidhje më eksportet e naftës, duke eksportuar më tepër seç lejohet. Autoriteti konstaton edhe rritjen e çmimeve. “Çmimi i shitjes së naftës bruto nga ndërmarrja Bankers Petroleum Albania Ltd ka ardhur në rritje nga viti 2016 në vitin 2018”,
“Sipas Programeve të Punës dhe Buxhetit të Bankers-it për vitet 2016-2019, programe këto të aprovuara nga Albpetrol dhe AKBN, mbi kontratat e lidhura midis Bankers 7 dhe ndërmarrjeve përpunuese të naftës bruto, përsa i përket përqindjes së shitjeve të parashikuara në tregun vendas rezulton se pjesa më e madhe e shitjeve, sipas kontratave të lidhura është për eksport, duke mos iu përmbajtur parashikimeve të Programeve të Punës dhe Buxhetit”, thuhet në njoftim.
Sipas vendimit, Bankers mund të ketë abuzuar edhe me pozitën dominuese.
“Sipas ligjit nr. 9121, nuk është e ndaluar pozita dominuese nga një ose disa ndërmarrje në treg, por zotërimi i pozitës dominuese i jep ndërmarrjeve një detyrim të veçantë për të mos abuzuar me këtë pozitë dominuese që zotëron dhe të mos kryejë sjellje të ndaluara në treg, veçanërisht nga ato të përcaktuara në nenin 9, pika 2 të këtij ligji”, thuhet në vendim.
Kujtojmë se gjatë një inspektimi të bërë ndaj kompanisë Bankers Petroleum janë konstatuar shkelje serioze, duke i faturuar kompanisë rreth 12 miliardë lekë të reja, ose rreth 104 milionë euro dëm dhe gjoba detyrim ndaj shtetit shqiptar. Gjoba është pezulluar nga Ministria e Financave.