Presidenti i vendit Ilir Meta ka folur sot për herë të parë lidhur me rrezikun që i haste Shqipërisë nga koronavirusi, që u shpall dje rrezik global.
Meta u shpreh se duhet të merren masa sa më të forta sanitare, ndërkohë që foli dhe për situatën në Italinë fqinje, ku janë evidentuar dy raste me të prekur.
“Mendoj se pas shpalljes së gjendjes së emergjencës globale nga OBSH duhen marrë masat më të forta të mundshme, sanitare dhe epidemiologjike për të parandaluar këtë virus për të penetruar në vendin tonë. Aq më tepër kur janë konstatuar dy raste në Italinë fqinje.
Është koha për të marrë masat më të forta, Shqipëria ka një eksperiencë si parandalimi i suksesshëm i SARS dikur, por është e rëndësishme të theksohet se cdo nënvleftësim mund të jetë me pasoja kritike, inkurajoj masat më të forta parandaluese.
Jemi ne një proces komunikimi, rastet në Itali dhe një rast në një vend tjetër fqinj e tregojnë qartë se jemi seriozisht të ekspozuar dhe duhet të parandalojmë me cdo kusht dhe mjet depërtimin virusit në vendin tone”, u shpreh Meta.