Ditën e sotme një shtetas ra në pranga pasi qarkullonte me armë zjarri. Burime bëjnë me dije se i arrestuari është Bledi Haka, 38 vjeç.
Haka është një nga personat e plagosur në vitin 2012 në zonën e ‘Porcelanit’, ku 1 person i armatosur ka qëlluar disa herë me armë zjarri pistolete mbi 4 persona të tjerë që ndodheshin në ambientet e një lokali të kësaj lagjeje të Tiranës, duke i lënë të plagosur.
Të plagosurit mbetën katër persona të identifikuar si shtetasit Bledi Haka, Shaqir Shtisi, Ervin Larku dhe Dritan Qello.
Njoftimi zyrtar:
Finalizohet operacioni policor “Liqeni”
Operacioni nga Forca e Posaçme “Shigjetat”, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë.
Në pranga një shtetas që qarkullonte me armë zjarri.
Sekuestrohen armë zjarri, fishekë luftarakë, armë të ftohta, kokainë e kanabis, një sasi e madhe parash, bllokues valësh të celularëve, karta bankare e sende të tjera.
Në kuadër të zbatimit të detyrave të përcaktuara në planin e masave për kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo që ushtrojnë veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, Forca e Posaçme “Shigjetat” ka konstatuar një automjet, që kur ka parë mjetin e Policisë ka kryer lëvizje të dyshimta.
Shërbimet e Policisë “Shigjetat” janë vënë në ndjekje të automjetit dhe në zonën e Liqenit të Thatë kanë bërë të mundur ndalimin e mjetit, si dhe bllokimin e drejtuesit të tij.
Gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë ushtruannë automjetin që drejtohej nga shtetasi B. H., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale:
– 1 armë zjarri tip pistoletë e markës Glock, me 16 fishekë;
– një sasi prej 1.8 gr. lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë;
– 4.4 gr. lëndë e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa, në formë cigareje;
– 3 thika, 2 me hapje dhe 1 në formë stilolapsi;
– 4 celularë dhe një bllokues valësh celulari;
– një sasi prej 2 765 000 lekësh të reja;
– disa çelësa automjetesh dhe karta banke.
Në përfundim të veprimeve të para, nga specialistët për hetimin e narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. H., 38 vjeç, banues në Tiranë.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.