Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Rajonit Shkodër, Paulo Kaceri e ka quajtur shkelje flagrante ligjore shkarkimin e 25 laborantëve të Spitalit të Shkodrës.
Kaceri shprehet se këta 25 laborantë do të shkarkohen dhe se drejtori i Spitalit të Shkodrës gënjen kur thotë se ata thjesht do të duhet të kalojnë një test pasi ky shërbim është dhënë me koncesion.
Duke akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë për shkelje të ligjit, Kreu i Sindikatës premtoi që do e ndjekin në të gjitha shkallët e drejtësisë këtë çështje.
Ai shtoi se këta laborantë të cilët shkarkohen padrejtësisht do të trajtohen më vonë me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Deklarata e plotë:
E cilësoj shkelje flagrante ligjore, vendimin që ka marrë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kundër 25 laborantëve të Spitalit të Shkodrës. Edhe një fëmijë i klasës së parë se kalon lehtë këtë shkresë të Ministrisë.
‘Në lidhje me ndryshimet e tij organizative, spitali rajonal i shkodrës ka njoftuar federatën e sindikatave të shëndetësisë Shkodër’. Kjo s’është e vërtetë, se ne kemi kundërshtuar në çdo takim pushimin e tyre nga puna.
Kjo është një shkelje flagrante. Këta punëtorë trajtohen si dele, përshkak se ne e quajmë pushim kolektiv nga puna, dhe zgjidhje kontrate e njëanshme.
Ne kemi kontratë në fuqi deri në vitin 2022. Ministria e Shëndetësisë bën shkeljen e parë ligjore dhe ne do e ndjekim në të gjitha shkallët.
Këta punonjës do të largohen nga puna shumë shpejt dhe nuk është e vërtetë ajo që thotë drejtori. Nesër e mbrapa, këto 25 punonjës do të detyrohet shteti shqiptar t’t trajtoje financiarisht me taksat e shqiptarëve.
Pasi lajmi i shkarkimit doli në media, Drejtori i Laboratorit të Shkodrës, Ardian Dajti reagoi disa ditë më parë, duke thënë se lajmi që 25 punonjës të këtij laboratori do të shkarkohen pasi ai të privatizohet, është i pavërtetë. Sipas tij, laboratori do privatizohet, por punonjëstit do mbeten në punë.