Nga Ermal Mulosmani
Kryeminisitri i Shqipërisë, zoti Edi Rama, në një nga shpërthimet më të forta e cinike të tij ndaj udhëheqësve kosovarë, tregoi një nervozizëm të skajshëm ndaj sjelljes së tyre në raportet ndërkombëtare. Duke iu referuar kancelarive euro-atlantike, ai deklaroi:
“Prej 8 vjetësh tanimë e dëshmoj në vetë të parë, trajektoren gjithnjë e më në rënie të respektit e të durimit të tyre me Prishtinën zyrtare dhe më dhembin gjithnjë e më shumë shtrembërimet e buzëve të tyre, kur flitet për Kosovën”…
Pra, Kryeministri i Shqipërisë, dëshmon që në këtë histori 8 vjeçare ku ai është dëshmitar, bota demokratike është lodhur nga kapriçiot dhe tekat nacional-patetike dhe aspak racionale të udhëheqësve të një vendi të vogël për lirinë e të cilit ata investuan aq shumë politikisht dhe ushtarakisht.
Rama, pak më poshtë, bie vetë në batakun e patetizmit-nacionalist kur “vetëmburret” për fjalën e tij “mu në mes të Beogradit” për njohjen e Kosovës nga Serbia. Ajo fjalë ishte thurur me kujdes për të luajtur me emocionet e kosovarëve të lënduar dhe për të rritur reputacionin e Ramës ndër ta. Kryeministri Rama e pranoi qysh atëherë se ajo ishte “retorikë nacionaliste për konsum të brendshëm”, pasi, menjëherë pas asaj fjalie, iu drejtua Kryeministrit të atëhershëm të Serbisë:
“Aleksandër, eja edhe ti në Tiranë dhe thuaje hapur të vërtetën tënde, askush nuk do lëndohet”.
Ishte siç e ka zakon Rama të luajë me fjalët “politikë e jashtme për konsum të brendshëm”.
Kryeministri Rama, pak më poshtë, në tekstin e tij, e komenton nismën “Open Balkan” si një mundësi e mirë për njohjen përfundimtare të Kosovës nga Serbia dhe heqjen e kufirit Shqipëri-Kosovë.
Kjo është edhe pika më interesante e tekstit të tij. A e ndihmon kjo nismë vërtet njohjen e Kosovës nga Serbia dhe a e heq realisht kufirin Shqipëri – Kosovë?
Këtu duhet të rrijë i gjithë diskutimi i udhëheqësisë së Kosovës në raport me nismën.
Kosova e di shumë mirë që nuk ka çështje më të madhe se njohja ndërkombëtare përfundimtare e saj. Kjo njohje, fatkeqësisht, kalon përmes Serbisë. Nëse Serbia e njeh Kosovën- gjithë bota do ta njohë.
A ka të drejtë Kryeministri Rama kur flet për “buzët e shtrembëruara” gjithnjë e më shumë të kancelarive perëndimore me “udhëheqësit e vendit të vogël e mosmirënjohës”?!
Ka shumë gjasë të ketë diçka të vërtetë në këtë mes.
Takimi i Korrikut i udhëheqësve shqiptarë dhe atyre serbë në Bruksel u pompua fort në mediat e Kosovës si një paraqitje e shkëlqyer e Kryeministrit Kurti. Madje edhe shumë prej kundërshtarëve të tij politikë e quajtën të shkëlqyer. Mirëpo në finale të tij çfarë u arrit? A mos ishte kjo një përpjekje e shkëlqyer që, përmes një retorike ekstreme të entuziasmohet publiku Kosovar?! Unë ashtu e pashë.
Negociatat janë sakrifica në funksion të qëllimit madhor. Japim ushtarin për kalin, japim dy torra për një mbretëreshë këto janë terma të shahut politik. Kjo strategji do të mbajë në vend negociatat, do i shtyjë ne kalendat greke ato dhe do të çojë në humbjen totale të durimit të faktorëve ndërkombëtarë. Në këtë mes duket se Kryeministri Rama ka të drejtë…
E vetmja aleate natyrore e Kosovës, e pakushtëzuar, sado nervoze të tregohet udhëheqësia e saj, është Shqipëria. Vendi amë është shumë më e fortë ndërkombëtarisht në raprt me Kosovën, është partner i vlerësuar nga bota perëndimore dhe nuk mundet të shmanget si faktor kyç në njohjen përfundimtare të Kosovës. Kushdo qoftë udhëheqësi i saj.
Barrikadimi i militantëve reciprokë e çoi ndarjen në pikën e vlimit por e pati një të mirë…
Në përgjgijen e tij Kurti ishte si rrallëherë i butë, ekuivok, gati pajtues. Në një aktivitet historik për Hasan Prishtinën, të zhvilluar në Shkup, Kurti shprehet:
“Kahja jonë si shqiptarë është perëndimi, aleatët tanë janë ShBA dhe BE, aspirata jonë legjitime është barazia me popujt e tjerë të Ballkanit dhe bashkimi paqësor e demokratik kombëtar, e detyra jonë më emergjente është që të luftojmë korrupsionin dhe t’i hapim rrugën zhvillimit ekonomik. Rajoni fiton siguri dhe stabilitet afatgjatë vetëm nga dënimi dhe izolimi i kriminelëve, dhe askush nga politikanët shqiptarë nuk duhet të bashkëpunojë me krimin”
Pra, si padashje në fund të fjalisë përmend “mosbashkëpunimin me krimin” duke aluduar për bashkëpunimin Rama-Vuçiç.
Por, ajo që më ra më së shumti në sy në deklaratën e Kurtit ishte pjesa:
“Mesazhi që dua të jap sot është ai i të qenit pranë njëri-tjetrit, me projekte të përbashkëta, me koordinim dhe me punë. Vetëm kur të lidhemi fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar”.
Ishte një dorë e zgjatur ndaj Kryeministrit Rama. Unë kështu e lexova. Pavarësisht kontradiktave dhe barrikadimit të militantëve ekstremistë apo skalioneve të gazetarisë, bashkëpunimi Rama-Kurti është i pashmangshëm. Sa më parë që ta kuptojnë këtë gjë aq më mirë për ta.
Albini e dha shenjën i pari.