AktualitetFlashKryesorePolitikëTe FunditTe Gjitha

“Doni të merrni votat e PD-së”, Vetëvendosja i përgjigjet Bashkisë: Katastrofale një qeverisje pa opozitë që kërkon të na mbyll gojën

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri i është përgjigjur bashkisë së Tiranës lidhur me replikën që bëri për reagimin e mëhershëm të saj për çështjen e protestave dhe dhunës në Unazën e re.

Enis Sulstarova ka shënuar në rrjetet sociale se qëndrimi i degës së Vetëvendosjes në Tiranë është shqetësim i qytetarëve shqiptar që votojnë e jetojnë këtu, ndërsa e konsideron reagimin e bashkisë si të pakuptimtë.

“Por duhet shtruar seriozisht pyetja se a është në të drejtën e vet kryetari i partisë që drejton bashkinë e Tiranës, kur merret vesh me Vuçiçin për “marrëveshje rajonale”, në emër edhe të Kosovës?”, shkruan Sulstarova.

“Në Republikën e Shqipërisë ne jemi të regjistruar si organizatë joqeveritare dhe jofitimprurëse, dhe është shenjë katastrofale kur një forcë politike e cila tashmë qeveris pa opozitë institucionale në nivel qendror e lokal, shënjestron dhe përpiqet t’ia mbyllë gojën edhe organizatave joqeveritare që nuk ia ndjekin avazin” vijon më tej reagimi.

Reagimi i plotë:

Si kryetar i Bordit të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri, më duhet të shpreh shqetësimin për një deklaratë të sotme nga Bashkia e Tiranës.

Bashkiakët ankohen se Lëvizja “ndërhyri në punët e brendshme të qytetit”. Është e papranueshme kjo shprehje, të ankohesh se pse qytetarët shprehin shqetësim për çështjet e qytetit të tyre. Anëtarët e bordit të Qendrës sonë, si edhe shumica dërrmuese e aktivistëve, janë shtetas të Shqipërisë, pjesa më e madhe votues e banorë të Tiranës. Megjithatë, mendojmë se jemi në të drejtën tonë kur shprehemi për çështjet e Tiranës, siç është kushdo që ia do të mirën kryeqytetit. Por duhet shtruar seriozisht pyetja se a është në të drejtën e vet kryetari i partisë që drejton bashkinë e Tiranës, kur merret vesh me Vuçiçin për “marrëveshje rajonale”, në emër edhe të Kosovës?

Nuk shkon kështu, këta na thonë se shqiptari s’paska të drejtë të flasë për Tiranën, kur po të njëjtët ftojnë serbët të flasin për Kosovën, pa Kosovën.

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Tiranë e fton Bashkinë e Tiranës të mos i marrë kritikat si personale, por si institucionale. Në Republikën e Shqipërisë ne jemi të regjistruar si organizatë joqeveritare dhe jofitimprurëse, dhe është shenjë katastrofale kur një forcë politike e cila tashmë qeveris pa opozitë institucionale në nivel qendror e lokal, shënjestron dhe përpiqet t’ia mbyllë gojën edhe organizatave joqeveritare që nuk ia ndjekin avazin.

Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri për çështjet kombëtare do të kërkojë vazhdimisht bashkëpunimin me faktorët politikë, qofshin ata në qeveri apo opozitë. Njëherazi, do të denoncojmë politikat që i shohim si të gabuara. Ne do të jemi të rreshtuar jo pas ndonjë partie, por pas ideve për zhvillim ekonomik, demokraci qytetare e të drejta njerëzore.

Plas keq mes Vetëvendosjes dhe Bashkisë së Tiranës/ VV e akuzoi si të korruptuar, nuk përmbahet Veliaj: Doni të merrni votat e PD-së!

(F.GJ/FAXWEB.AL)

Fjalët Kyce

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *