Ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu, i cili aktualisht është ambasador në Republikën e Kirgistani është nominuar për një post të rëndësishëm, si ndihmës sekretari i Shtetit për Çështjet e Azisë Jugore dhe Qendrore.
Lajmi është njoftuar nga Departamenti i Shtetit përmes një njoftimi, ndërkohë që nominimi është bërë nga presidenti amerikan Joe Biden. Pozicioni i rëndësishëm në Departamentin e Shtetit të SHBA, që është përgjegjës për politikën e jashtme amerikane dhe marrëdhëniet me të gjithë Azinë Jugore dhe Qendrore, ka qenë vakant që nga fillimi i administratës së mëparshme të Trump. Nominimi i Lu për këtë pozicion erdhi së bashku me disa njoftime të tjera të bëra nga Shtëpia e Bardhë të premten.
Lu është anëtar i karrierës në shërbimin e jashtëm. Ai ka shërbyer si ambasador në Republikën e Kirgistanit që nga viti 2018, pasi i përfundoi mandati në Shqipëri. Gjatë karrierës së tij Lu ka pasur poste në Indi, Azerbajxhan, Gjeorgji dhe Pakistan. Ai lexon dhe flet shqip, rusisht, azerbajxhanisht, gjeorgjisht, hindisht dhe urdu.
Me postin e ri ai do të ketë një rol kryesor në formësimin e politikës së SHBA për një portofol që përmban Afganistanin, Indinë dhe Pakistanin, ndër të tjera.