Gazeta Nacionale raportoi më herët përmes burimesh për një fjali të rëndë e shqetësuese që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e kishte thënë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin në Ohër më 8 qershor. Tashmë, një mbledhje ka filluar me disa prej kritikëve më të ashpër të kryeministrit në Soma të Gërmisë.
“Do ta rrëzoj Albin Kurtin (nga pushteti) deri në shtator,” – kishte thënë kryeministri i Shqipërisë sipas burimeve të Nacionales në një takim me disa funksionarë shqiptarë në Samitin e Ballkanit të Hapur që u mbajt në Ohër të Maqedonisë njëmbëdhjetë ditë më parë.
E sot, pasi vizitoi disa biznese të lidhura me biznesmenë oponentë të kryeministrit Kurti dhe pasi vizitoi familjen e ish kundërshtarit politik, Hashim Thaçit, ai ka mbledhur edhe kritikët më të ashpër të tij.
Kjo ndejë joformale po mbahet në Soma të Gërmisë dhe Nacionale ka shkrepur fotografitë që e dokumentojnë atë.
Anti-Kurti në ndejën e Ramës
Mes njerëzve të ftuar në këtë ndejë janë drejtues mediesh si Arben Ahmeti, Ilir Mirena, Astrit Gashi, Valon Syla, Kushtrim Sadiku, e Leonard Kërquki ndër tjerë. Në këtë ndejë ishte edhe një gazetar i ri i panjohur për publikun e që punon për një medium të drejtuar nga Baton Haxhiu me emrin Lirim Mehmetaj.
Mediumet e këtyre drejtuesve janë konsideruar nga aktivistët e Vetëvendosjes – ndonjëherë edhe pa të drejtë – si tendencioze kundër kryeministrit Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Në anën tjetër, në darkë nuk është asnjë drejtues apo gazetar i mediumeve që janë konsideruar si të afërta me Qeverinë Kurti, Kallxo.com ose Grupi Koha.
Po ashtu, aty është parë edhe ish kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje që kishte dalë nga kjo parti në fillim të vitit 2018, Visar Ymeri.
Edhe ky i fundit është shprehur kritik ndaj Qeverisë Kurti II prej që ajo u formua më 23 mars 2022.
Përveç tyre, në Soma të ftuar nga Edi Rama ishin edhe analistë të ndryshëm që kanë qenë kritik vazhdimisht ndaj Kurtit, si Dukagjin Gorani, Ismajl Tasholli e Agon Maliqi mes tjerësh.
Edhe nga gazeta Nacionale kanë qenë të ftuar për të marrë pjesë në këtë takim, por kanë refuzuar ftesën. Përkundër kritikave ndaj Qeverisë Kurti, Nacionale ka qenë kritike edhe ndaj mënyrës se si është qeverisur Shqipëria nga Qeveria Rama.
Përplasjet mes Kurtit dhe Ramës muajve të fundit kanë qenë të ndryshme e të shumta, me raportin ndër-personal mes tyre që ka afektuar ndjeshëm edhe raportet ndër-shtetërore.
Kjo darkë besohet të jetë organizuar nga ana e Baton Haxhiut, këshilltarit të kryeministrit Rama dhe njërit prej figurave më të goditura nga ana e Vetëvendosjes.