Klevis Balliu, ish-deputet i Partisë Demokratike, ka folur sot përpara ambienteve të Gjykatës së Tiranës, ku u shpreh i revoltuar se i janë “ngarkuar” 318 preçedime penale vetëm për një protestë. Ai tha se në zonën e Astirit përfaqësues të shtetit po kërkojnë rryshfet për prishjen selektive të objekteve.
Balliu akuzoi kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj se po vjedh trotuaret e qytetit për të bërë pallate, dhe po shkatërron qytetin. Sipas Balliut në 25 Prill, kjo qeveri do të shkërmoqet, ndërsa këtë javë do të nxjerrë fakte konkrete për vjedhjet e kryera nga Veliaj për trotuaret e qytetit, dhe jo vetëm.
“Doja tju informoja, se tek ngjisja shkallët, takova disa avokatë dhe më thanë se vetëm sot janë 60 protestues. Këtu nuk po gjykohet njeri që ka bërë krime, vetëm ata që kanë protestuar. Te Unaza e re sot po bëhen krime, po kërkohen rryshfete nga institucionet e shtetit.
Shumë nga dosjet që kemi çuar në Prokurori, veçanërisht në SPAK, nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Për cështjen e Unazës kemi çuar një dosje në Prokurorinë e Tiranës dhe dy në SPAK. Këtë javë do të nxjerr fakte dhe dokumente konkrete, sesi Erion Veliaj po vjedh trotuaret e qytetit për të bërë pallate. Po shkatërrohet qyteti.
Kjo qeveri më datë 25 prill do të shkërmoqet. Rilindja do të shkërmoqet. Për krimet që i kanë bërë këtij vendi. Nga kjo gjykatë ju (iu drejtohet gazetarëve) keni parë vetëm deklarata të qytetarëve. Më thoni si ka mundësi që mua më bëhen 318 proçedime penale për një protestë”, tha Balliu.