Pak orë pas shkarkimit të gjyqtarit të Apelit në Vlorë Hysen Saliko nga KPK, xhiron e rrjetit po bën një postim i të birit të tij, i cili shkruan se tashmë i ati do të ketë mundësi të qendrojë më shumë me fëmijët e nipërit, që puna e tepërt e kishte bërë që t’iu qendronte larg
Ibrahim Saliko shprehet se Vetingu u ngrit për të larguar qëllimisht nga sistemi i drejtësisë njerëzit që kanë punuar ndershmërisht. Një nga arsyet e rrëzimit të Salikos në KPK ishte fakti që ai nuk kishte justifikuar blerjen e dy apartamenteve në Tiranë, që sipas familjes janë mundësuar nga rritja e bletëve.
Postimi i plotë nga Ibrahim Saliko: Letër babait tim të ripërndjekur politikisht. Çfarë ndodhi? Asnjëgjë! Ndodhi ajo që kisha vite që ta kisha shprehur, që vettingu u krijua për ju! Po, po! Për ju njerëzit e drejtë të këtij sistemi që nuk ditët të bëheshit palë kurrë me padrejtësinë, krimin dhe politikën.
Ndodhi ajo që pritej, të të largonin ty dhe shumë kolegë të tutë me padrejtësitë që politika ju vari çelsat në qafë, por ju nuk e hapët kurrë atë dryn.
Ja pra babë që kisha unë të drejtë edhe pse ti me atë drejtësinë tënde nuk i besoje kësaj të vërtete që t’u shpall sot. Kur kolegët e tu po rreshtoheshin si “të padenjë” për këtë sistem ti thoje: Do kenë gabuar vettingarët nga mos interpretimi i drejtë i ligjit.
Ti babë përveç se ke dënuar veten na dënove edhe ne. Këta vettingarët prisnin që ti të kishe lindur në Paris, që mos çuditeteshin që ti vije nga fshati Qinam i Kolonjës edhe se merreshe me bletari. Një gjyqtar me bletë!! Ku e konceptonin dot ata!!!
Tani thanë se ti nuk ke burime të ardhurash për të justifikuar pasurinë që ke sot. Po ku ka bir nënë që të të kërkoj llogari ty për 30 vjet punë që ke bërë duke dhënë gjithë kontributin tënd në sistemin e gjyqsorit apo lekët e tua që fiton nga biznesi yt.
Meqë jemi disa orë pas vendimit i ftoj ata vettingarët të vinë në Qinam e t’ju japim pak mjaltë nga ai i joni. E të pyesin kolonjarët se sa kohë ke me këtë biznes. E ç’ju duhet atyre?! Ata të kishin vënë në shenjë me goditje të përqëndruar. Ti ishe i destinuar për këtë fat!
E di që je vrarë jo se të hoqën nga një punë që bëre për 30 vjet, por sepse të njollosën. Ti i persekutuar në dy kohë. Para dhe pas 90-ës. Por me gjithë persekutimin ti gjykove drejtë në 30 vjet.
Madje gazetari Gjergji Erebara ( ndjesë për citimin) tha: Saliko ishte vetë i pranishëm në seancë ndërsa u lavdërua për aftësitë profesionale, rezultoi i përshtatshëm në lidhje me pastërtinë e figurës.
Ja pra babë ti i pastër je, por thjesht te bënë pis emrin që ndërtove në 30 vite. E sheh si është politika e ngritur për të vënë kastën e tyre të prokurorëve e gjyqtarëve?! Që me një të rënë të lapsit të të zhgarravisin figurën.
Këtë u munduan ta bëjnë ata. Por ti si Zotëri do e çosh dinjitetin në vënd.
Ti nuk ishe si disa gjyqtarë që gdhiheshe e ngryseshe në tavolinë me politikanë, me bandat e krimit. Po ti ishe i paaftë. E kjo paaftësia jote të dha këtë medalje.
Por dua ta falenderoj atë komision. E di pse? Se në 30 vjet nuk erdhe në shtëpi pa sjellë me vete punën tënde. Tani jam i kënaqur që nipi yt do të ketë mundësi që të luaj me ty. Madje të luash edhe me ne, si dënim për vitet që të mori ajo “paaftësia jote”.
Tani çohu bëj gati plaçkat se do shkojmë në Qinam do ju sjellim qumësht blete komisionerëve se ju ka rënë imuniteti. Baba mirë se erdhe në shtëpi!