AktualitetFlashKryesorePolitikëTe FunditTe Gjitha

Ditmir Bushati ua thotë në sy socialistëve: Jeni në kapitalizëm grabitqar, të kapur nga grykësia e një grupi njerëzish

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në fjalimin e tij të mbajtur në Parlament e ka quajtur jetësore pjesëmarrjen në zgjedhje të emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit duke e vendosur në objektivat kombëtare, të cilat sipas tij sot as nuk ekzistojnë.

Zëri i fundit kritik për mënyrën se si PS po qeveris vendin duke mos harruar dhe progresin që ka bërë shteti shqiptar në përfshirjen e diasporës në jetën politike të vendit nuk ka lënë pa fshikulluar dhe mentalitetin e qeverisë Rama në lidhje me trajtimin e diasporës, por jo vetëm.

Sot jemi ekonomikisht shumë më mirë se sa pak kohë më parë, por jemi të mpirë nga mungesa e shpresës. Sot ekziston një krizë vlerash për shkak të aksesit dhe shpërndarjes së të mirave.

Jemi të mpirë nga mungesa e shpresës por dhe nga grykësia dhe pafytyrësia dhe paaftësia për të ngritur një sistem vlerash.

Kapitalizmi grabitqar nuk na premton një hap gjigant përpara. Nuk duhet të ndihemi patriot vetëm nëpër stadiume. Nuk themi dot vetëm që jemi vendi i Shqiponjave, Skënderbeut dhe Nënë Terezës. Na duhet të përcaktojmë objektivat tonë. Se çfarë toke do të jetë Shqipëria. Objektivat e një kombi janë të domosdoshme dhe diaspora duhet të jetë në objektivat e tyre. Ne duhet ta brand-ojmë këtë vend.

Evropa ka jetuar 550 vite pa Shqipërinë, jeton dhe 550 vite të tjera. Po ne do t’ia falim dot vetes? Fëmijëve tanë? Unë s’dua që fëmijët e mi të mësojnë atë që kemi mësuar ne. Më shqetëson grumbullimi i të ardhurave për një grup njerëzish, më shqetëson që ne eksportojmë burime njerëzore jashtë vendit.

Më shqetësojnë zgjidhjet e lehta, gjithashtu dhe që nuk kemi një partneritet besimi me Diasporën“, tha Bushati nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë.

Ish-ministri i jashtëm i qeverisë Rama prej disa kohësh në daljet publike po targeton ish-shefin e tij për përfshirje në strukturat qeverisëse të personave të cilët nuk përfaqësojnë sistemin e vlerave brenda PS-se.

Pas shkarkimit nga ministër i jashtëm në fillim të këtij viti, Ditmir Bushatit iu hoq dhe pozicioni si kordinator politik i PS-së për Shkodrën, duke u zëvendësuar me Valdrin Pjetrin, kandidat dhe për bashkinë e Shkodrës. Ky i fundit tha dorëheqjen nga të gjitha pozicionet pas zgjedhjeve të 30 qershorit, pas daljes në dritë të dokumenteve që provonin se kishte qenë i dënuar në Itali në fillim të viteve 2000 për trafik droge.

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *