Dy krerët e opozitës Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi u janë bashkuar urimeve për 12 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, që shënohet këtë 17 Shkurt.
Përmes mesazheve në rrjetet sociale, Basha dhe Kryemadhi e cilësojnë pavarësinë e Kosovës ditën e dytë historike më të rëndësishme për shqiptarët.
Mesazhi i Bashës:
Të dashur vëllezër e motra të Kosovës, në ditën e dytë më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, ju uroj nga zemra gëzuar përvjetorin e 12-të të shtetit të Kosovës!
Këto nuk kanë qenë vite të lehta për Kosovën,sikundër dhe rruga e së ardhmes është e mbushur me sfida. Por si përherë, jam i bindur se me pjekuri, durim, forcë e mençuri do t’i përballni me sukses të gjitha sfidat përgjatë rrugës së vështirë të shtetformimit.
Në këtë ditë kaq të bukur dhe të rëndësishme për kombin, dua të shpreh angazhimin tim se çdo ditë të jetës dhe punës time, sot në krye të opozitës e nesër në krye të qeverisjes së vendit, Kosova dhe aspirata jonë e përbashkët drejt integrimit do të jetë misioni ynë i madh.
Ne do të jemi bashkë në këtë rrugëtim, prandaj edhe më të fortë edhe më të qartë se asnjeherë më parë për të sotmen dhe të ardhmen tonë.
Gëzuar Kosovë!
Mesazhi i Kryemadhit:
Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosova jonë e dashur, martirja e përgjakur në Evropën e kohëve moderne, ëndrra e realizuar e të rënëve për liri!
12-vjetori i Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më jep rastin fatlum që në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të uroj me gjithë zemër motrat dhe vëllezërit shqiptarë, e bashkë me ta edhe të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës për ketë ngjarje të shënuar, e njëkohësisht të shpreh bindjen time të palëkundur se kjo ditë e veçantë, do të gjenerojë më shumë energji dhe besim, më shumë përkushtim dhe vendosmëri, për të punuar pa u lodhur asnjëherë për Kosovën europiane.
12 vjet në jetën e një vendi nuk janë shumë, por 12 vjet të shtetit të pavarur të Kosovës, kanë shënuar arritje me përmasa epokale po të kemi parasysh se sa shumë luftë e përpjekje, sa shumë sakrifica dhe privacione janë dashur të përballohen.
Ndaj, është e natyrshme që sot një nderim i veçantë të shkojë për të gjithë ata djem dhe vajza, për të gjithë ata luftëtarë të lirisë që i dhanë Kosovës, lirisë e pavarësisë së saj, jetën e tyre.
Gjithashtu dua të shpreh mirënjohjen e thellë ndaj Shteteve te Bashkuara te Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, që ishin krah Kosovës si në ditët e luftës së përgjakshme, ashtu edhe në procesin politik për shpalljen e pavarësisë së saj.
Kosova është amaneti i shenjtë i gjakut të të rënëve, por po aq është edhe ëndrra e bukur e djemve dhe vajzave të saj, ndaj përparimi dhe mirëqenia, prosperiteti dhe zhvillimi i pandalshëm, do ta bëjnë Kosovën edhe më të fortë, edhe më të begatë, edhe më europiane.
Edhe një herë:
Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosova jonë e dashur!